E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha sugjeron PS-në: Dy opsionet e Ramës për të dalë nga greva

Kryeministri: Rama ka shkelur Kodin Penal për bllokimin e rrugës

Eljona Ballhysa
Kryeministri Berisha, duke iu referuar grevës së PS-së, i sugjeroi Ramës dy opsione për të zgjidhur situatën, ndërsa e akuzoi atë se ka shkelur Kodin Penal për bllokimin e bulevardit. Berisha tha dje në një konferencë për shtyp se Rama duhet të pranojë propozimin e Këshillit të Europës që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese dhe Komisionit të Venecias për hapjen e kutive, ose të marrë pjesë në komisionin parlamentar hetimor dhe çdo provë që ka ta dorëzojë në prokurori, e cila ka tagrin e hapjes së kutive. Më tej kreu i qeverisë u shpreh i gatshëm të takojë liderin e opozitës, ndërsa theksoi se pranon transparencën e procesit zgjedhor brenda kuadrit kushtetues, duke nënkuptuar se nuk mund të hapen kutitë në Parlament, ashtu sikurse kërkon PS-ja. Madje Berisha tha se Rama, protestën nuk e bën kundër qeverisë, por e bën për të ndryshuar vendimet e gjykatave.
Sugjerimi
“Zoti Rama ka dy opsione. Ka opsionin e rekomanduar zyrtarisht nga Këshilli i Europës, i cili i sugjeron zotit Rama që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese dhe në qoftë se ajo e gjykon të arsyeshme për të kërkuar mendimin e Komisionit të Venecias. Ndryshe, zoti Rama ka opsionin tjetër, pjesëmarrjen në komisionin e ngritur, ku ekziston shumica votuese e tij. Zoti Rama, çdo dokument që do të disponojë për cenimin e procesit zgjedhor dhe që mund të kërkojë hapjen e kutive dhe rinumërimin e votave, t’ia japë prokurorisë. Ky institucion ka tagrin ligjor dhe kushtetues për të hetuar çdo gjë në përputhje me Kodin e Procedurës Penale ndaj të cilit nuk mund të ketë kufizime”, - është shprehur Berisha. Ai gjithashtu i sugjeroi Ramës që të lexojë me kujdes deklaratën e Byrosë së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës dhe zgjidhja të vijë nëpërmjet sugjerimeve që jepen në atë deklaratë. Byroja Parlamentare e KiE-së sugjeroi në këtë deklaratë që PS-ja t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese dhe më pas Komisionit të Venecias për hapjen e kutive. Më pas kryeministri garantoi se Partia Socialiste do ta ketë të garantuar të drejtën për të protestuar paqësisht, pasi ky është një obligim kushtetues. Ai gjithashtu bëri të ditur se ka porositur të gjitha institucionet respektive që ndaj të ngujuarve të tregojnë të gjithë përkujdesjen shëndetësore dhe të vendosin kontakte zyrtare me drejtuesit e grevës, në mënyrë që të merret çdo masë për sigurimin e plotë të jetës së tyre. Berisha theksoi se Rama e ka ndërmarrë këtë veprim si një përpjekje për të përmbysur vendimet e gjykatave me mjete politike. “Vendimet e gjykatave, në çdo vend të lirë dhe në interesin më jetik të çdo qytetari, edhe të atyre që protestojnë, mund të ndryshohen vetëm në gjykata, me asnjë mjet tjetër. Duke theksuar këtë qëndroj prapë i hapur dhe disponibël për transparencë të plotë të procesit zgjedhor dhe të çdo problemi tjetër që dëshiron opozita shqiptare, në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e vendit”, - është shprehur Berisha.
Akuza
Ndërsa i sugjeroi Ramës dy opsione për të dalë nga kriza, Berisha e akuzoi atë për shkelje të Kodit Penal për shkak se ka bllokuar bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
“Në kundërshtim flagrant me nenin 293 të Kodit Penal, zoti Rama ka bllokuar rrugën duke deklaruar se trafiku jam unë. Është e vërtetë që ai është kryetar bashkie, por Kodi Penal është i detyrueshëm për të gjithë, si për kryetarët e bashkive, edhe për qytetarët e tjerë. Rruga nuk bllokohet. Ndërkohë është bllokuar një arterie kryesore e qytetit. Janë një seri problemesh, për të cilat Kodi Penal ka parashikuar vepër penale në qoftë se ti i krijon”, - është shprehur Berisha. I pyetur nëse është i gatshëm të takojë kreun e PS-së për të zgjidhur krizën, Berisha tha se është i gatshëm të takojë cilindo kundërshtar politik. “Unë jam njeri i hapur gjithmonë për dialog, i hapur gjithmonë për takime. Unë, gjatë këtyre 18 viteve, me çdo kundërshtar politik timin kam nënshkruar marrëveshje. Kjo është e vërteta. Dhe nuk gjen një artikull apo një nen të këtyre marrëveshjeve që unë të mos e kem respektuar. Kam firmosur edhe me zotin Rama. Edhe në qoftë se nuk i vumë firmat, formalisht dhamë konsensusin me gentlemen element, autorizuam bashkëpunëtorët tanë të firmosnin dhe ato përbëjnë reformat më të mëdha që pozita dhe opozita kanë bërë. Unë nuk kam kurrë paragjykime. Kundërshtari është kundërshtar. Me atë do të takohesh dhe do të diskutosh. E kam faktuar. Unë jam i zhveshur nga çdo lloj forme paragjykimi apo koncepti armik. Gjëra të tilla nuk ekzistojnë në kokën time”, - është shprehur Berisha.

4 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›