Dokle: “Ftesa e Berishës për transparencë, demagogji e radhës”
Deputeti socialist, Namik Dokle, e ka cilësuar dje ftesën e kryeministrit Sali Berisha për dialog “demagogji të radhës”. Ai sqaroi se Partia Socialiste kërkon hapa konkretë për transparencën e zgjedhjeve. “Të hapen kutitë, të shihet maskarada”, - tha Dokle.
Deputeti Dokle deklaroi se protesta nuk do të ndalet për asgjë dhe se transparenca e kutive është një e drejtë e pamohueshme. Sipas tij, Berisha e ka shkelur Kushtetutën mbi 30 herë dhe se komisioni i ngritur për hetimin e zgjedhjeve ishte i njëanshëm. Ai bëri të ditur se gjendja shëndetësore e grevistëve është rënduar.
Dogjani: “Qeveria të reagojë, ne jemi të vendosur të vazhdojmë grevën”
Deputeti i Partisë Socialiste në qarkun e Kukësit, Asllan Dogjani, i ka bërë apel qeverisë të reagojë për transparencën. Ai shprehu bindjen se opozita është e vendosur në kauzën e saj për të vazhduar deri në fund grevën. “Qeveria nuk duhet të mbyllë sytë, as veshët e të bëjë rolin e shurdhit, pasi janë shumë qytetarë që na mbështesin”, - tha Dogjani, duke nënvizuar se në qarkun e Kukësit sot papunësia është mbi 50% dhe varfëria është e tejskajshme.
Gjermeni: “Protesta është paqësore, ndërsa policia po shton stres dhe ankth”
Deputetja socialiste, Eglantina Gjermeni, ka shprehur shqetësimin për sjelljen e Policisë së Shtetit. Ajo bëri të ditur se forcat e policisë gjatë ditës kanë ardhur duke u shtuar përreth çadrave ku janë vendosur deputetët grevistë dhe mbështetësit e tyre. “Policia nuk i ka lejuar protestuesit të afrohen”, - tha Gjermeni. Deputetja tha se sjellja e forcave të policisë shton stresin dhe ankthin, ndërkohë që protesta është paqësore. Gjermeni i bëri apel qeverisë të reagojë dhe e konsideroi një lloj presioni thirrjen e policisë për të liruar bulevardin.
Gjoni: “Grevistët e larguar do të zëvendësohen”
Deputeti Ilir Gjoni ka dhënë një prononcim për gjendjen e grevistëve. Ai informoi se deputetja Klodiana Spahiu, e cila u detyrua të ndërpresë grevën në orët e para të mëngjesit të djeshëm, është në trajtim intensiv nga mjekët. Gjoni tha se morali i grevistëve është i lartë, por nënvizon se situata shëndetësore ka ardhur duke u rënduar, sidomos për ata që vuajnë nga diabeti, si Blendi Klosi. Deputeti Gjoni njoftoi pritjen e mbledhjes së shtabit të emergjencës në PS për të vendosur personat që do të zëvendësojnë grevistët që për shkaqe shëndetësore ndërpresin grevën. Duke theksuar se opozita është e vendosur në misionin e saj, Gjoni tha se nga qeveria nuk ka pasur ndonjë reagim zyrtar përveç disa deklaratave banale të zëdhënësve të Partisë Demokratike.
4 Maj 2010