Policia kërkon për herë të tretë lirim e bulevardit
TIRANË - Policia e Tiranës ka kërkuar për herë të tretë që të lirohet bulevardi “Dëshmorët e Kombit” dhe qarkullimi i makinave të vazhdojë si përherë. Këtë herë policia nuk ka qenë kategorike si më parë, por ka kërkuar spostimin e vendit të zhvillimit të grevës. Lajmi është bërë i ditur gjatë ditës së djeshme nga burime zyrtare të Policisë së Tiranës. Pas dy letrave zyrtare të dërguara ditët e fundit nga drejtori i Policisë, Tonin Vocaj, i cili u ka bërë me dije drejtuesve të protestës se po kryejnë vepër penale me bllokimin e trafikut, policia e Tiranës i ka sugjeruar dje Partisë Socialiste t’i zhvendosë grevistët në një ambient tjetër për të liruar rrugën e kalimit të automjeteve në bulevard. Nga të dhënat zyrtare është mësuar se uniformat blu do të garantojnë sigurinë e grevistëve në çfarëdo ambienti që do të pranojnë të vendosen. Siç ka bërë të ditur Policia e kryeqytetit, zhvillimi i grevës së urisë së disa deputetëve socialistë dhe mbështetësve të tyre po zhvillohet pa lejen e posaçme të tyre. Ndonëse mungon leja, policia ka angazhuar mbi 100 forca policie për të siguruar grevistët. Në këtë mënyrë është bërë ruajtja e tyre, duke mos lejuar ndërhyje të jashtme. Dy ditë më parë, drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, iu drejtua me shkresë zyrtare kreut të Bashkisë së Tiranës Edi Rama dhe kryetarit të PS-së së kryeqytetit, Besnik Bare, që të shihnin mundësi të tjera jo vetëm për zhbllokimin e bulevardit "Dëshmoret e Kombit", por edhe për planin e qarkullimit të mjeteve në Tiranë. Ndërkohë që trafiku në Tiranë vazhdon të mbetet problem. Sistemi i ri i qarkullimit të makinave si pasojë e punimeve në sheshin "Skënderbej", por edhe bllokimi që prej disa ditësh i bulevardit "Dëshmorët e Kombit", si pasojë e grevës së nisur nga deputetët socialistë dhe mbështetësit e tyre, kanë bërë që trafiku në orët e para të mëngjesit të djeshëm të ketë krijuar vështirësi në qarkullimin e automjeteve. Devijimi i qarkullimit të automjeteve nga punimet në sheshin "Skënderbej" që prej disa javësh, por edhe bllokimi i bulevardit kryesor "Dëshmorët e Kombit", kanë krijuar probleme të mëdha në qarkullimin e automjeteve në akset kryesore të Unazës në kryeqytet.
4 Maj 2010