E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: “Vizat do të hiqen brenda pak muajve”



Brenda pak muajsh do të bëhet realitet heqja e vizave të Shqipërisë me Bashkimin Europian, pasi është bërë një punë e jashtëzakonshme për plotësimin e kushteve që ky proces kërkon. Një fakt të tillë e ka bërë të ditur kryetari i LSI-së, Ilir Meta, njëkohësisht zv.kryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme, gjatë forumit të Lëvizjes Rinore për Integrim. “Kjo punë është bërë që shqiptarët jo vetëm të mos kërkojnë rrugë të mbrapshta për të ikur jashtë vendin si ato që u morën jetën mijëra personave në këto dy dekada nëpër dete, apo duke ikur maleve dhe të mos rropaten më në ambasadat e huaja, sepse heqja e vizave për ne, në radhë të parë është çështje dinjiteti dhe lirie”, - është shprehur ndër të tjera zv.kryeministri Meta. Sipas tij, në këto 8 muaj, hapa shumë të rëndësishëm janë bërë drejt integrimit europian të vendit, duke radhitur para të rinjve të LRI-së të gjitha mesazhet që janë dhënë nga autoritetet e larta europiane gjatë këtyre 8 muajve të fundit për procesin e liberalizimit të vizave dhe integrimit europian, si i tillë. “Kjo tregon se ne jemi në rrugë të mbarë drejt integrimit, megjithëse nuk duhet të tregohemi euforikë dhe prandaj do t’i ftoja të gjitha forcat politike në vend që të mos shpenzojnë energji negative, duke fajësuar njëri-tjetrin. Në një kohë kur është koha të bashkëpunojmë dhe të përshpejtojmë ritmet e integrimit europian”, - tha kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim.

4 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›