Topalli: “Greva e deputetëve, vetëm se Rama nuk dëshiron dialog”
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e ka cilësuar të trishtuar grevën e urisë së deputetëve të PS-së, ndërsa ka shtuar se ajo vjen për shkak se Rama është kundër dialogut. “Është një trishtim. Me sa duket, kryetari i Partisë Socialiste nuk ka interes për dialog”, - është shprehur Topalli. Më tej ajo ka shprehur bindjen se kjo protestë nuk do të ndikojë në proceset integruese të vendit. “Unë dua t’u shpreh mirënjohjen 12 ministrave të Jashtëm, të cilët më 30 prill u dërguan një letër autoriteteve më të larta që kanë në dorë vendimin për liberalizmin e vizave. Unë besoj se 22 veta apo 220 veta nuk mund ta prishin kurrë ëndrrën e liberalizimit të vizave. Ndaj edhe njëherë dëshiroj t’u them ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian, autoriteteve kryesore, se shqiptarët janë të vendosur për të ecur përpara në proceset për liberalizimin e vizave dhe për këtë natyrisht është e rëndësishme që dialogu të bëhet në Parlament”, - është shprehur Topalli.
Presidenti Topi apelon për respektimin e parimeve të demokracisë
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i pyetur dje nga mediat për situatën aktuale politike, tha se respekton çdo veprim që realizohet në bazë të parimeve të demokracisë duke nënkuptuar se respekton të drejtën e opozitës për të protestuar. “Unë do të pozicionohem parimisht si kryetar i shtetit që do të respektoja gjithçka që respekton parimet demokratike. Ky është një term disi i përgjithshëm, por secili duhet ta gjejë veten këtu, tek kjo shprehje. Pra gjithçka që është demokratike duhet të aspirohet dhe duhet të aplikohet. Unë uroj që gjithçka të shkojë në normalitet sipas rregullave demokratike që ne i kemi sanksionuar edhe me ligj!” - është shprehur kreu i shtetit, ndërsa ka theksuar se ai distancohet nga veprimet e dhunshme dhe ka uruar që gjithçka të realizohet brenda kontureve të demokracisë.
Reagon PS-ja, Fatmir Xhafaj: “Berisha mban peng të drejtën për transparencë”
Deputeti grevist, Fatmir Xhafaj, fill pas konferencës për shtyp të kryeministrit Berisha, u shpreh se ai po mban peng të drejtën e opozitës për transparencën e procesit zgjedhor. Xhafaj theksoi më tej se opozita është e vendosur që të rezistojë deri në fund për të garantuar transparencën e votave. “Greva e urisë do të vazhdojë, kushdo qofshin ‘shpërblimet fizike’. Ne do të qëndrojmë këtu dhe jemi të vendosur për protestën tonë. Nuk do të jetë e largët dita kur kryeministri do të japë llogari për këtë situatë”, - u shpreh Xhafaj. Ai i konsideroi qesharake pretendimet e Berishës për deklaratat mbi paligjshmërinë e grevës apo bllokimin e trafikut. Sipas tij, Berisha mban peng të drejtën themelore të hapjes së kutive dhe po rrit gjithnjë e më shumë faturën e këtij veprimi.
4 Maj 2010