Rama: “Greva e deputetëve të PS-së dhe e mbështetësve nuk do të ndërpritet”
Eneida Jaçaj
Greva e deputetëve të Partisë Socialiste nuk do të ndërpritet derisa të ketë një reflektim nga qeveria për të realizuar transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit përmes hapjes së kutive. Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, gjatë vizitës së tij dje në Spitalin Ushtarak, ku është shtruar deputetja greviste e qarkut të Durrësit, Klodiana Spahiu, për shkak të komplikacioneve që pati në stomak mëngjesin e ditës së hënë.
Rama akuzoi qeverinë se po vazhdon të mbajë sytë mbyllur dhe rinënvizoi se opozita nuk do të ndalet në misionin e saj për hapjen e kutive. "Nuk kam shumë fjalë për të thënë përveç shprehjes së neverisë për këtë qeveri që vazhdon t’i mbajë sytë mbyllur e veshët të taposur. Pa dyshim që zemër për të ndjerë pulsin e problemeve dhe shqetësimeve të kësaj shoqërie nuk ka pasur ndonjëherë dhe nuk ka si ta ketë, as për atë të cilën e kundërshtojnë fuqimisht përmes një aksioni që nuk do të ndalet", - tha Rama.
Qëndrimi
Partia Socialiste është e vendosur të mbrojë kauzën e saj për transparencë të plotë të zgjedhjeve. Kryesocialisti Rama ka nënvizuar çdo ditë se kjo betejë nuk është beteja e Partisë Socialiste për të marrë pushtetin, por beteja e një populli të tërë dhe u ka bërë thirrje protestuesve të përgatiten për të rezistuar deri në fund. “Përgatituni për të rezistuar, sepse beteja jonë mund të jetë e shkurtër nëse Berisha do të reflektojë shpejt, por do të jetë edhe e gjatë nëse ajo nuk ndodh. Asnjë krevat nuk do të ngelet bosh, por një do të dalë e 5 të tjerë do të hyjnë në grevë urie”, - tha thënë kreu i partisë më të madhe të opozitës. Kreu socialist ka theksuar se opozita është e vendosur të luftojë kundër kësaj gjendjeje në të cilën është futur vendi, duke nënvizuar se beteja e ndërmarrë është për të eliminuar korrupsionin. "Transparenca e zgjedhjeve nuk është çështje e gjykatave. Nuk synojmë ta marrim pushtetin përmes transparencës, por kërkojmë transparencë përmes pushtetit", - është shprehur Rama, duke theksuar edhe njëherë se nuk kërkon pushtet në tavolinë, por zbardhje njëherë e mirë e vjedhjes së zgjedhjeve. Rama ka vënë në dukje se pa u çliruar zgjedhjet, çdo çështje tjetër do të bëhet e pamundur për t'u zgjidhur përballë këtij pushteti. Sipas Ramës, vendi ndodhet në udhëkryqin e një monarkie të pashpallur, pasi pushteti vjedh votat duke e kthyer popullin në rob të keqqeverisjen dhe një republike ku qeveria është me dhe për njerëzit.
Greva
Greva e urisë në bulevardin para Kryeministrisë është lëvizja më e fundit e opozitës për të kushtëzuar kërkesën e saj për hapjen e kutive të votimit. Prej tetë muajsh Partia Socialiste ka kërkuar zbardhjen e të ashtuquajturit krimi elektoral i 28 qershorit, kërkesë e cila ka hasur në qëndresë të fortë nga maxhoranca. Edhe pse u pranua ngritja e një komisioni hetimor me objekt hetimi zgjedhjet e 28 qershorit, sërish kryeministri bëri lojën e radhës duke mos lejuar që opozita të ketë shumicën e saj në këtë komision. Si rezultat i indiferencës së maxhorancës për të lejuar hetimin e zgjedhjeve të kaluara, ka qenë pikërisht nisja e protestës maratonë e opozitës jo vetëm për hapjen e kutive, por edhe për krizën ekonomike.
4 Maj 2010