E Diel, 1 Nëntor 2026

Deputetët, në grevë urie ditën e votimit për Kodin

Dy partitë e mëdha neglizhojnë kërkesat e "të vegjëlve", sa i takon Kodit të Ri Zgjedhor. Një ditë pasi kërcënuan publikisht, 9 deputetët gjenden më pranë fillimit të grevës së urisë. Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta dhe ligjvënësit që e mbështesin, konfirmuan dje vullnetin e tyre për të zgjedhur këtë lloj proteste. Teksa kryesocialisti Edi Rama gjeti rastin të ndalet në vlerësimet e Progres-Raportit të Këshillit të Evropës për çështjen e reformës zgjedhore në Shqipëri. "Duam që në zgjedhjet e ardhshme, shqiptarëve t‘u miratohen votat e tyre dhe jo votat e dyshes Berisha-Rama", konstatoi dje në prononcimin publik kreu i LSI-së, Ilir Meta. Ai rikonfirmoi vendosmërinë e partisë që drejton dhe të tjera forcave në Kuvend dhe jashtë tij për t‘i shkuar deri në fund mbrojtjes së votës së shqiptarëve. Ligjvënësit e LSI paralajmërojnë se kanë vendosur që së bashku me deputetë të tjerë të partive të ndryshme të hyjnë në grevë urie në sallën e Kuvendit, ditën që do të diskutohet Kodi Zgjedhor. "Nuk na ka mbetur asnjë rrugë tjetër demokratike, në një kohë kur kodi po miratohet nga dy partitë, PS-PD. Çfarë kuptimi ka futja në zgjedhje, kur rezultati vendoset më përpara nga partitë në tavolinë. Nuk kemi asnjë rrugë tjetër", theksoi deputeti Dritan Prifti. Sipas tij, zgjedhjet prandaj bëhen, që populli të nxjerr ata që i kanë shumicën e votave, por këta duan shumicën e votave të Dushkut, me mandatet e vjedhura. "Sondazhet që ata bëjnë dhe që i bëjnë edhe në PS dhe PD, kanë më pak se 50 për qind të elektoratit. Në fakt, nuk mundet që në tavolinë të vendoset rezultati i zgjedhjeve të ardhshme, duhet që ta votojë populli", vlerësoi Prifti. Ai informoi se të gjithë deputetët, të cilët kanë qenë dy ditë më parë dhe kanë takuar Presidentin Topi, si dhe i kanë lënë atij një letër, janë të gatshëm për të filluar dhe shkuar deri në fund grevës së urisë. Sakaq, kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, preferoi dje të anashkalojë kërcënimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim në lidhje me grevën e urisë. "Një nga të paktat pika, ku Progres-Raporti i KE për Shqipërinë nënvizon qartësisht progres është pika ku flet për Reformën Zgjedhore, dhe ku përcakton shprehimisht meritën e forcës më të madhe të opozitës, pra të Partisë Socialiste", nënvizoi Rama i pyetur për grevën. Sipas liderit të opozitës, leximi i këtij vlerësimi edhe përpara opinionit publik do të ishte një ndihmë e çmuar, për të kthjelluar, si dhe për të forcuar bindjen e domosdoshmërisë së kontributit tonë në këtë proces dhe e meritës sonë të padiskutueshme për suksesin e këtij procesi.

Lista e paralajmëruar

Ilir Meta

Nard Ndoka

Spartak Ngjela

Petro Koçi

Dritan Prifti

Luan Memushi

Ndre Legisi

Pëllumb Xhufi

Spartak Braho

Dashamir Shehi

Ndoka

Dy partitë duhet të reflektojnë ndaj kërkesave

Kreu i demokristianëve, Nard Ndoka, tha dje se greva e urisë nuk është thelbi i letrës drejtuar kreut të shtetit. Sipas tij, ajo është masa e fundit demokratike që mbetet për t‘u përdorur. "Ne gjykojmë se situata e reformës zgjedhore është shumë e rëndë. Dy partitë politike të vjetra, PD-ja dhe PS-ja, në bashkëpunim të fshehtë me njëri-tjetrin kanë bërë disa ndryshime në Kodin Zgjedhor, por ndryshimet e fundit kanë arritur kulmin, ku tentohet të përjashtohen disa parti politike nga administrimi i votës", konstatoi ai. Ndoka vlerëson se këto dy parti politike po përpiqen të kontrollojnë procesin, ta manipulojnë atë sipas interesave të tyre. "Pra, e thënë troç, të vjedhin votën e shqiptarëve. Kjo është e patolerueshme. Kjo minon përfundimisht sistemin zgjedhor", ngul këmbë ai. Pa diskutim, që greva e urisë është hapi i fundit, vijon Ndoka, sipas të cilit, askush nuk e dëshiron që deputetët e parlamentit të Shqipërisë të mbyllen në grevë urie. "Këto janë sinjalet e fundit të një diktature. Nëse arrihet deri aty, ka një papërgjegjshmëri totale edhe nga Komisioni i Reformës Zgjedhore, por edhe nga politika në tërësi", tha ai. Kryedemokristiani konstatoi se partitë e vogla kanë bërë detyrën për ta informuar Presidentin rreth situatës së krijuar. "Do të informojmë edhe trupin diplomatik të akredituar në Shqipëri. Do të gjejmë mënyrat e dialogut. Ne po tentojmë dialogun edhe me PD-në, edhe me PS-në, si edhe me të gjitha partitë e tjera parlamentare, të cilat e kanë provuar në kurriz, marrim rastin e partive të djathta", theksoi Ndoka.

Kreu i PDS

Milo: Nuk duhet të

kalohet në grevë

Paskal Milo deklaroi dje se qëndrimi ndaj Kodit të ri Zgjedhor është një e drejtë e çdo partie politike. Sipas tij, kontestimet nuk duhet të shprehen përmes grevave të urisë. Kreu i Partisë Demokracia Sociale, konstatoi se në vijimësi ka shprehur pakënaqësi për çështjen e kodit zgjedhor që po hartohet. Gjithsesi tregohet shumë i rezervuar për të mbështetur aktin e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe disa partive të tjera të vogla për kalimin drejt grevës. Milo deklaroi se nuk ka qenë pjesë e takimit të partive të vogla me kreun e shtetit, një ditë më parë. Duke reaguar për Progres-Raportin e Komisionit Evropian, Milo vlerësoi se dokumenti është një paralajmërim për standardet e zgjedhjeve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›