E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha sulmon Ramën: “Heqja e sigurimeve shëndetësore, e papranueshme”

“Sigurimet shoqërore i ka hequr vetëm diktatura”. Kreu i PD-së premton rritjen e pagave të mjekëve

Eljona Ballhysa
Kryeministri Berisha e cilësoi idenë e Ramës për heqjen e sigurimeve shëndetësore diktatoriale dhe të papranueshme. Gjatë përurimit të maternitetit të ri të Durrësit Berisha komentoi deklaratën e kryetarit të PS-së për heqjen e sigurimeve shëndetësore, duke e konsideruar atë tepër të dëmshme për sistemin shëndetësor. Gjatë fjalës së mbajtur në këtë ceremoni Berisha premtoi ndër të tjera rritjen e pagave të mjekëve dhe infermierëve dhe barazimin e tyre me pagën e mjekëve në 6 vende të Bashkimit Europian. Gjatë ditës së djeshme Berisha zhvilloi një takim elektoral në Manzë të Durrësit, në Shkozë dhe në Sauk të Tiranës.
Mjekët
“Dua t’u them shqiptarëve se ideja e Edi Ramës për të hequr sigurimet shëndetësore është shpartalluese për sistemin shëndetësor. I them se këtë sistem e ka vendosur burri më i madh i tokës gjermane, kancelari Bismark. Ky është një sistem që ekziston në të gjitha vendet e lira të botës, pavarësisht nëse janë socialdemokratë apo të qendrës së djathtë. Sigurimet shëndetësore i ka hequr vetëm diktatura. Të gjithë atyre që për nivelin e të ardhurave apo shkaqe të tjera nuk kanë mundësi të paguajnë sigurime shëndetësore, ato do t’i paguajë qeveria dhe kjo do të jetë një shumë, veças nga ndihma ekonomike apo të tjera. Heqja e sigurimeve shëndetësore do të thotë që, në emër të barazisë, të thellosh në mënyrë progresive varfërinë, do të thotë që ne që kemi paga të larta, të trajtohemi njëlloj si ai që merr ndihmë ekonomike. Këto forma janë çnjerëzore dhe të papranueshme”, - është shprehur kreu i PD-së, Sali Berisha, ndërsa premtoi se gjatë mandatit të dytë ai do të vazhdojë rritjen e rrogave për mjekët dhe infermieret. “Unë i sigurova miqtë e mi, shumë prej tyre i kam pasur studentë të shkëlqyer, se në katër vitet që vijnë dhe sa kohë të jem në pushtet rrogat do të rriten në mënyrë të fuqishme. Objektivi im është që në katër vite mjekët, infermierët dhe laborantët të marrin më shumë se kolegët e tyre të 6 vendeve anëtare të Bashkimin Europian”, - është shprehur Berisha ndërsa theksoi se qeveria do të vazhdojë të luftojë korrupsionin në shëndetësi.
Përurimet
Gjatë ditës së djeshme, në kuadër të fushatës zgjedhore, kryeministri Berisha inauguroi rrugën Maminas-Gjiri i Lalzit, investim me vlere 1,03 miliardë lekë. Kryeministri u shpreh se rruga është një premtim i mbajtur i qeverisë shqiptare dhe se ndërtimi i saj ishte një domosdoshmëri, në kuadrin e ndërtimit të të gjitha rrugëve që zbresin drejt bregdetit. Më pas Berisha zhvilloi një takim elektoral me banorët e Manzës, të cilëve u premtoi furnizimin me ujë të pijshëm 24 orë në ditë.
“4 vitet që vijnë në këtë bashki do të garantojmë furnizimin me ujë të pijshëm 24 orë, në çdo familje, në çdo shtëpi. Së dyti, do të rindërtoj të gjitha rrugët, rrugicat e kësaj bashkie. Së treti, do të rindërtoj të gjitha rezervuarët dhe kanalet vaditëse të këtij territori, sikundër garantoj fermerët e Manzës se 4 vitet që vijnë qeveria ime do të subvencionojë, imputet, naftën, për të gjithë sipërfaqen që ju do të mbillni, do të subvencionojë pa asnjë kufizim çdo rrënjë ulliri që do mbillni, do të subvencionojë frutikulturën dhe kultura e tjera bujqësore dhe çdo projekt tuajin. Ju jap fjalën fermerëve të Manzës se 4 vitet që vijnë pensionet tuaj do të barazohen 100 për 100 me pensionet e qytetit”, - është shprehur Berisha.

17 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›