E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bregu në rrugën “Jordan Misja”: “Rama jep leje ndërtimi abuzive”



Gjatë një takimi me banorë të rrugës “Jordan Misja”, kandidatët e PD-së për Tiranën, Majlinda Bregu dhe Indrit Fortuzi, evidentuan një tjetër abuzim të kryebashkiakut Rama me lejet e ndërtimit. Me anë të një lejeje ndërtimi të paligjshme është ndërtuar një pallat shumëkatësh në rrugën “Jordan Misja”, në të ashtuquajturën lagjen “Braka”, në hapësirën ndërmjet pallateve të vjetra të banorëve autoktonë tiranas. “Papërgjegjshmëria politike e Edi Ramës dhe Eduard Shalsit arrin deri aty sa përveç ofendimeve dhe presionit të ushtruar, na thonë se ndërtesat tona të ligjshme zënë të gjithë hapësirën dhe u kanë prishur projektin për ndërtimin e një kompleksi pallatesh”, - tha njëri prej banorëve.
Ndërsa Bregu u shpreh se kjo është praktika dhe modeli qeverisës i Edi Ramës, dhënia e lejeve të ndërtimit në mënyrë abuzive.

Oketa në Durrës: “Vota për PD-në e bën Shqipërinë pjesë të Europës”

Kandidati për deputet i PD-së në qarkun e Durrësit, Gazmend Oketa, u bëri dje thirrje banorëve të këtij qyteti që të marrin pjesë masivisht në zgjedhjet e 28 qershorit dhe të votojnë për PD-në. Sipas tij, vota djathtas e bën Shqipërinë pjesë të familjes europiane. Gjatë një takimi elektoral me qytetarët durrsakë, Oketa tha se Durrësi gjithmonë ka marrë pjesë masivisht në votime, çka përkthehet në votë për Partinë Demokratike.
“Unë besoj shumë se ajo që qeveria demokratike ka bërë gjatë këtyre 4 viteve do të jetë një motiv i fortë për të gjithë durrsakët për të dalë për të votuar vetëm djathtas, vetëm për numrin 10”, - deklaroi Gazmend Oketa. Kandidati i PD-së apeloi se me votën për PD-në Shqipëria bëhet pjesë e familjes europiane.

17 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›