E Diel, 1 Nëntor 2026

Fitimi i mandateve, koalicionet duhet të arrijnë pragun 5% dhe pragun specifik të secilit qark

Beteja e shifrave për shpërndarjen e mandateve të deputetëve. Nëse nuk arrijnë 5% të votave në secilin qark, koalicionet skualifikohen menjëherë

Shaban Sulçe

Koalicionet do të përballen me një pengesë të dyfishtë për të siguruar të paktën një mandat deputeti në secilin prej 12 qarqeve ku do të konkurrohet për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Katër koalicioneve që marrin pjesë në këto zgjedhje do t’u duhet domosdoshmërisht që së pari të kapin 5% të votave në secilin qark, për të qenë në “lojë” për fitimin e mandateve. Koalicioni që nuk arrin 5% të votave skualifikohet menjëherë dhe përjashtohet nga gara e shpërndarjes së mandateve, ndërkohë që votat e marra prej tij i kalojnë automatikisht koalicionit që del forcë e parë në secilin qark. Ky rregull vlen edhe për qarkun e Tiranës, pavarësisht se pragu specifik i këtij qarku është 3.2%. Por vështirësia e koalicioneve nuk mbaron me kaq. Edhe nëse do të arrijnë të marrin 5% të votave, ato mund të mbeten pa fituar mandate, për shkak të përqindjeve të larta specifike të secilit qark, si dhe për shkak të formulës “D’Hondt” që do të përdoret për shpërndarjen e mandateve. Për shembull, një koalicion mund të marrë 5% të votave në qarkun e Gjirokastrës, por kjo nuk do të thotë se ai e ka mandatin e deputetit të sigurt, pasi në këtë qark pragu elektoral specifik është mbi 16%, duke qenë se në të garohet vetëm për 5 deputetë.

Kodi Zgjedhor
Sipas Nenit 162 të Kodit të ri Zgjedhor, “Për zgjedhjet për Kuvendin përjashtohen nga shpërndarja e mandateve partitë politike që konkurrojnë më vete dhe që kanë marrë më pak se 3 për qind dhe koalicionet që kanë marrë më pak se 5 për qind të votave të vlefshme në zonën zgjedhore përkatëse”. Thënë më qartësisht, koalicionet që nuk arrijnë pragun 5% të votave, skualifikohen menjëherë nga procesi i shpërndarjes së mandateve. Për shembull, në qarkun e Tiranës, në rast se një prej këtyre koalicioneve arrin kuotën 4.96% të votave, nuk arrin të fitojë një deputet, pavarësisht se pragu elektoral në këtë qark është 3.2%.

Qarqet

Formula “D’Hondt” është një tjetër pengesë për koalicionet që do të renditen në vendin e tretë dhe të katërt në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Kjo formulë e sanksionuar në Kodin e ri Zgjedhor do të përdoret për shpërndarjen e mandateve midis koalicioneve dhe sipas ekspertëve është një formulë që i favorizon ndjeshëm partitë e mëdha të dy koalicioneve që do të dalin në vendin e parë dhe të dytë. Kjo formulë mund t’u mohojë mandatin koalicioneve të tjera, edhe në rastet kur ato arrijnë pragun 5% të votave. E vetmja mundësi që koalicionet të fitojnë mandatin e deputetit është që të arrijnë pragun specifik të secilit qark. Qarku i Tiranës do të shënojë rekordin përsa i përket nivelit të ulët të pragut elektoral në zgjedhjet e ardhshme. Në këtë qark do të dalin 32 deputetë, ndërkohë që pragu elektoral do të jetë 3.2%. Pas Tiranës, qarku i Fierit shënon nivelin më të ulët të pragut elektoral, i cili është 6.25%. Më tej, renditja vijon me Elbasanin 7.1%, Durrësin 7.6%, Vlorën 8.3%, Korçën 8.3 dhe Shkodrën 9%. Por krejt e kundërta do të ndodhë me qarqet e vogla të vendit, ku niveli i pragut elektoral do të kapërcejë deri në shifra të “llahtarshme”. Kështu, rekordin do ta zërë qarku i Kukësit, duke shënuar shifrën 25% të pragut elektoral. Surprizë është edhe qarku i Gjirokastrës, ku pas ndryshimeve pragu elektoral ka kapërcyer në shifrën 20%. Përqindje të larta të pragut elektoral shënojnë edhe qarqet Dibër me 16.6%, ndërsa qarku i Beratit do të jetë në nivelin 12.5 për qind, ndërsa ai i Lezhës do të kenë nivelin 14.2% të pragut elektoral.

17 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›