E Diel, 1 Nëntor 2026

Shijak, Klosi takohet me të rinjtë: “Votoni për të ardhmen tuaj”



Kandidati për deputet i PS-së në qarkun e Durrësit, Blendi Klosi, është takuar me të rinj dhe të reja në qytetin e Shijakut. Gjatë fjalës së tij në këtë takim Klosi u bëri apel të rinjve që më 28 qershor të votojnë për Partinë Socialiste, pasi në këtë mënyrë ata do të votojnë për të ardhmen e tyre. Kandidati socialist deklaroi se Partia Socialiste do t’i kushtojë vëmendje të veçantë punësimit të të rinjve në Shqipëri. “Më 28 qershor të rinjtë e Shijakut, si të rinjtë e gjithë Shqipërisë, duhet ta kenë të qartë ndarjen midis dy modeleve: modelin e njeriut të punës, të përfaqësuar nga Edi Rama, modelin e njeriut të ndryshimit, të përfaqësuar nga Edi Rama dhe modelin e plakur, modelin e lodhur, modelin gënjeshtar, të përfaqësuar nga Sali Berisha. Më 28 qershor të zgjedhim modelin e punës, modelin e Edi Ramës. Dhe duhet t’i themi ndal gënjeshtrës, të përfaqësuar më së miri nga Sali Berisha, i cili përpara interesit të të gjithë fëmijëve shqiptarë ka vënë interesat e fëmijëve të tij”, - tha Klosi.

Blushi: “Korça nuk do të votojë për këtë qeveri të papunësisë”

Kandidati për deputet i Partisë Socialiste në qarkun e Korçës, Ben Blushi, është takuar me banorët e Lagjes 10 në këtë qytet. Gjatë fjalës së tij në këtë takim Blushi ka deklaruar se votuesit jo vetëm të Korçës, por të të gjithë Shqipërisë
kanë shumë arsye pse duhet të votojnë Partinë Socialiste në zgjedhjet e 28 qershorit. Sipas Blushit, PS-ja është një forcë që ka një lider të suksesshëm, një program të ri dhe një ekip konkurrues, ndërkohë që ai theksoi se qeveria e Sali Berishës, duhet të largohet, pasi nuk mbajti pjesën dërrmuese të premtimeve dhe shkaktoi rritje të papunësisë në vend. “Në qoftë se Sali Berisha i ka hequr Shqipërisë një gjë, kjo është puna. Shqiptarët janë sot më të papunë se kurrë, shqiptarët nuk punojnë sot. Korça pret ditë më të mira dhe Korça di të kuptojë se për kë duhet të votojë. Nuk do të votojë Korça për Sali Berishën, sepse Sali Berisha nuk ka qenë, nuk është dhe nuk do të jetë kurrë mik i Korçës”, - tha kandidati socialist Ben Blushi.

17 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›