E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjinushi: “Berisha dështoi në luftën kundër korrupsionit”



Turi elektoral i kryetarit të PSD-së, Skënder Gjinushi, është ndalur në Koplik dhe në Pukë, në qarkun e Shkodrës. Në këtë qark, lista e kandidatëve të PSD-së kryesohet nga kandidati Pjetër Nikaj. Gjatë fjalës së tij në këto takime, Gjinushi deklaroi se kryeministri Berisha jo vetëm që dështoi në luftën kundër korrupsionit, por edhe u bë pjesë e këtij fenomeni. “Kurrkush nuk mund të besojë sot që kjo qeveri do të luftojë korrupsionin. Në qoftë se në 2005-n disa mendonin që Berisha do të luftonte korrupsionin e Nanos, tani që dhe Nanon e ka bërë mik korrupsionin e kujt do të luftojë Berisha? Tani që ai është në krye të gjithë aferave korruptive, tani që qeveria ka dosjen e Durrës-Kukësit që pret drejtësi; ka dosjen e Gërdecit që pret drejtësi; ka çështjen e Jalës, Fazlliçit apo Balliçit, atëherë korrupsionin e kujt do të luftojë kjo qeveri pas 2009-s? Absolutisht, mesazhi i tyre është i qartë kërkojnë një mandat të dytë për t’ju vjedhur për herë të dytë ju e tërë shqiptarët”.

17 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›