E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta, takim në zonën e tij elektorale: “Do të bëj gjithçka për zgjidhjen e problemeve të komunitetit të Kombinatit”



Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, zhvilloi një takim në Njësinë Bashkiake Nr. 6 në kryeqytet, e cila është edhe zona elektorale e Metës në zgjedhjet e 28 qershorit. Në takimin e zhvilluar në Kombinat, Meta tha se ndihej shumë i privilegjuar që do të përfaqësonte këtë zonë në Parlamentin e ardhshëm. Kreu i LSI-së tha se do të angazhohej maksimalisht për të zgjidhur problemet e komunitetit të kësaj zone. ”Më 28 qershor, me votën tuaj, unë do të jem deputet i Kombinatit, i Unazës së Re, i ‘Misto Mames’ dhe i Qytetit të Nxënësve, i këtij populli të mrekullueshëm me të cilin jemi të lidhur aq ngushtë, jo vetëm politikisht, por dhe shpirtërisht. Unë jam i privilegjuar dhe i nderuar që do të jem përfaqësues i Kombinatit, sepse programi i LSI-së ka tri prioritete kryesore: punësim, punësim, punësim. Populli i Kombinatit ka qenë dhe mbetet një komunitet punëdashës, por që për fat të keq e ka shumë të vështirë të gjejë vetveten duke punuar. Prandaj, përmes këtij programi, ne i ofrojmë komunitetit tuaj të mrekullueshëm një perspektivë të afërt, të prekshme, në mënyrë që të gjithë përmes punës të mbajnë me djersë dhe dinjitet familjet e tyre, t’i rrisin dhe t’i shkollojnë fëmijët e tyre. Unë do bëj çdo gjë që një herë e përgjithmonë të zgjidhet problemi i legalizimeve, proces me të cilin Sali Berisha ka 4 vjet që mban peng qindra mijëra shqiptarë në të gjithë Tiranën, Durrësin dhe Shqipërinë. Unë do të bëj gjithçka që problemi i ujit të pijshëm dhe problemi i kanalizimeve të zgjidhet një herë e mirë për të gjithë Njësinë Nr.6, pasi është një problem dhe një dramë më vete për shumë pjesë të komunitetit tuaj. Unë do të bëj gjithçka që problemet e këtij komuniteti të zgjidhen hap pas hapi dhe do të jem krenar që së bashku me Luzhianën, që është kryetare e Minibashkisë suaj dhe së bashku me qeverinë e re që do të vijë nga vota juaj, nga vota e Tiranës dhe nga vota e Shqipërisë, më 28 Qershor të bëjmë mrekulli për Kombinatin për Tiranën dhe për gjithë Shqipërinë”, - tha kreu i LSI-së, Ilir Meta.

17 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›