E Diel, 1 Nëntor 2026

KE: Siguria rrugore në Shqipëri, alarmante

Komisioni Evropian deklaroi dje se siguria rrugore në Shqipëri është në nivelet më të ulëta në Evropë, duke e quajtur këtë situatë tragjike për qytetarët. "Siguria rrugore nuk është një nga ato fusha ku Shqipëria renditet më mirë në Evropë. Mendoj se në këtë aspekt Shqipëria është në vendet e para për nga fundi. Dhe kjo është një tragjedi për publikun shqiptar", u shpreh Jonathan Shceele, drejtor në Drejtorinë e Transportit. Komisioni Evropian po negocion me 7 vendet e Ballkanit Perëndimor një projekt për krijimin e traktatit të përbashkët rajonal për transportin. Drejtori Shceele thotë se traktati ka për qëllim krijimin e një rrjeti të integruar të infrastrukturës në rajon, kusht kyç për hapjen dhe integrimin ekonomik të Ballkanit. "Në vitin 2003 ne ndërmorëm një studim për infrastrukturën rrugore në Ballkan dhe patëm llogaritur se për të ndërtuar një rrjet kryesor rrugësh për rajonin nevojiteshin rreth 10 miliardë euro. Që atëherë kanë ndryshuar shumë gjëra. Shumë investime janë kryer sakaq, por edhe kostot janë rritur shumë. Nuk mund të them sot një shifër të saktë, por mund të them se ka shumë punë për të bërë dhe do të bëhet hap pas hapi. Kjo për arsye se nuk mund të gjendet kaq shumë para për një kohë kaq të shkurtër, por edhe sepse është shumë e vështirë të implementosh një program kaq të madh në një kohë të shkurtër", u shpreh Scheele.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›