Rehn këshillon: Zgjedhjet, pastaj aplikimi për statusin në BE
Qeveria shqiptare mori dje një tjetër sinjal mjaft të qartë për të mos aplikuar për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian, para zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Komisioneri Evropian për Zgjerimin, Olli Rehn, bëri dje të qartë sugjerimin gjatë një komunikimi me mediat, në prag të takimit informal të ministrave të BE-së së Gymnich. Në këtë takim, në prani të ministrave të Jashtëm të Ballkanit, temë kryesore do të jetë pikërisht perspektiva evropiane e rajonit. "Pra, aplikoni kur të jeni me të vërtetë gati dhe mos e bëni vetëm për një veprim politik. Ja pse për shembull për Shqipërinë këshilla ime është: ju lutem mos e konsideroni para zgjedhjeve parlamentare, pasi ky proces do të jetë një test kritik i stabilitetit tuaj demokratik", këmbënguli Olli Rehn. Ai sqaroi më tej qëndrimin ndaj vendeve si Shqipëria dhe Serbia, të cilave u thuhet që ta konsiderojnë këtë hap kur të jenë gati për të marrë përsipër detyrimet e procesit të anëtarësimit dhe të negociatave. "Mbi bazën e misioneve të ekspertëve, ne do të përgatisim raportet tani shpejt gjatë pranverës. Mbi bazën e këtyre raporteve Këshilli mund të diskutojë dhe unë shpresoj që të marrë vendime mbi liberalizimin e vizave për vendet më të përparuara për sa u përket detyrimeve mbi çështjet e sigurisë, siç janë pasaportat biometrike dhe sistemi i kontrollit të integruar i kufijve", vlerësoi Rehn. Këto qëndrime të komisionerit për Zgjerimin në BE vijnë një ditë pasi qeveria çeke, që kryeson Presidencën e Bashkimit Evropian, ra si pasojë e një mocioni në Parlament. Dy ditë më parë, komisioneri shprehu qëndrimin e tij për rëndësinë që kanë zgjedhjet e ardhshme parlamentare në rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. Brukseli është shprehur qartë se procesi elektoral duhet t‘i përmbushë të gjitha kriteret e kërkuara ndërkombëtare për të qenë një hap drejt vlerësimeve pozitive. Disa ditë më parë, ishte ministri i Jashtëm çek, Karel Schwarzenberg, që i këshilloi Tiranës zyrtare të shtynte aplikimin për statusin e kandidatit në BE. "Nuk ka dyshim se presidenca çeke dhe ajo pasardhëse suedeze janë më të hapurat ndaj shtrirjes së BE-së në Ballkan. Nga ana tjetër, ne e konfirmuam solemnisht edhe sot që Shqipëria është e ftuar të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian", tha ai gjatë takimit me ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Lulzim Basha. Por, aktualisht, vijoi ai, nëse ju do më ftoni në shtëpinë tuaj, unë e pranoj ftesën dhe i bie ziles, e pikërisht në atë moment janë çarë tubat dhe shtëpia noton në ujë, ju nuk do jeni aq mikpritës sa do ishit në një moment normal. U desh vetëm disa javë që "shtëpia çeke" jo vetëm që u përmbyt, por edhe u fundos për shkak të mocionit në Parlament.