E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha "sulmon" Ramën nga Laçi: Prapë do të mund

Kryeministri Sali Berisha vazhdon akuzat në distancë ndaj kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama. Nga qyteti i Laçit, ku Kryeministri bëri një sërë inaugurimesh, "sulmoi" edhe rivalin e tij politik, i cili ndodhet me pushime në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. "Absolutisht je i pashpresë dhe nuk kam kundërshtar më komod se ty. Do të qëndrosh në krye të PS-së, qëndro sa të duash! Ne do të vazhdojmë me veprat tona", tha Berisha. Sipas tij, 28 qershori kishte një humbës të madh. "Humbi Edi Rama dhe nastradinizmi i tij. Ai u parashtroi shqiptarëve doktrinën e mashtrimit. Shqiptarët e hodhën atë, aty ku e meritonte, në koshin e humbjes. Prapë nuk nxjerr mësim. Jo, thotë, do të vazhdoj mandatin se nuk kam humbur", theksoi Berisha. Duke i përcjell këtë mesazh kreut të PS-së, Berisha shtoi se "gënjen veten tënde zoti Edi, se prapë do të humbasësh, prapë do të humbasësh, e prapë do të humbasësh. Do të kalosh nga 28 qershori në 28 qershor, nga Ballagati në Ballagat". Gjatë vizitës në qytetin e Laçit, Kryeministri inauguroi fillimin e punimeve në segmentin e dytë të rrugë Laç - Patok, në rrethin e Kurbinit. Brenda 14 muajve, pritet që kjo rrugë e gjatë 6.2 kilometra dhe me një vlerë investimi prej 183 milionë lekë, ku përfshihen edhe kanalizimet, rrjeti elektrik dhe trotuaret do t‘u dorëzohet banorëve të zonëve. "Kjo rrugë lidh Laçin, Kurbinin, Krujën dhe mbarë Shqipërinë me një nga plazhet më të bukura të vendit, plazhin e Patokut. Kjo rrugë, gjithashtu i jep mundësi daljeje në treg në kushte më të mira kësaj zone, e cila është një nga zonat më të fuqishme prodhuese të vendit. Siç e shihni është një komunë me një potencial të madh, me tokë të mrekullueshme, me ujëra të shumta të nëndheshme dhe të mbidheshme, pra është një ndihmë e madhe për tregun në këtë zonë", tha Berisha. Shefi i qeverisë rithekson premtimin e tij se brenda vitit 2010 do të jenë të shtruara të gjitha rrugët e bregdetit shqiptar. "Jam i bindur se vitin e ardhshëm, numri i pushuesve dhe i turistëve që do të frekuentojnë Patokun do të jetë shumë i madh, shumë herë më i madh se këtë vit. Kjo rrugë është një nga ato rrugë që lidh kombin me detin, që kthen kombin drejt detit dhe është në planin dhe vizionin e kësaj qeverie, që brenda vitit 2010 të ketë përfunduar asfaltimin e të gjitha rrugëve që zbresin në det nga Velipoja deri në Ksamil", tha ai. Duke iu drejtuar kryetarit të Bashkisë së Laçit, Berisha theksoi se "zoti kryetar, unë të premtoj se qeveria do të financojë çdo projekt, në mënyrë që siç kemi premtuar fitoren në zgjedhje, qytetarët e komunës Fushë-Kuqe, Gurëz dhe gjithë kësaj zone, ta prekin me mirësi, ta prekin me rrugë të re, me ujësjellës, kanalizime dhe vaditje. Ne, siç kemi deklaruar, këto 4 vite do të përqendrohemi shumë për të ndihmuar fermerët shqiptarë me vaditjen, natyrisht një vaditje tjetër, jo tashmë me shatë dhe me presë. Le t‘ua lëmë kohërave se boll i kemi përdorur ato dhe të kthehemi të vadisim me pika, me sistem shiu dhe sistemet më moderne". Kryeministri bëri me dije se Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit ka marrë porosi të prerë për të ndërtuar hyrjen dhe daljen e qytetit të Laçit. "Ministria e Kulturës dhe e Sportit ka ndarë fondin dhe shpejt inaugurojmë fillimin e punimeve në stadium, sepse i japim fund një diskriminimi që u bëhej ju nëpërmjet stadiumit", tha ai. "Në këto 4 vite, me fitoren e 28 qershorit, unë ju garantoj se Shqipëria do të shkëputet një herë e përgjithmonë nga problemet e mëdha që trashëgoi, nga prapambetja e saj që trashëgoi dhe do të marrë tërësisht pamjen, fytyrën europiane që meriton. Garantoj gjithë qytetarët e mbarë Kurbinit dhe të gjithë Shqipërisë se 28 qershori nuk kishte qytetarë të humbur, se projektet tona janë të vlefshme për çdo qytetar shqiptarë", tha Berisha. Kreu i qeverisë në këtë mandat të dytë të kabinetit të tij ritheksoi premtimin se do të hapë 160 mijë vende të reja pune për të gjithë shqiptarët.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›