E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha sulmon opozitën: Kultura e Bllokut synon dhunimin e votës

Akuzat Kryeministri nga Fushë-Kruja mbrohet me kundërsulm: Po nxijnë punën tonë

“Partia Socialiste po drejtohet nga kultura komuniste e ish-bllokut dhe propaganda që ajo po bën, i ngjan asaj që bëhej në kohën e monizmit”. Ky ka qenë etiketimi më i fundit që bëri dje Kryeministri Berisha për partinë më të madhe të opozitës, teksa mbajti një fjalim përpara banorëve të Fushë-Krujës. Në këtë zonë, kreu i qeverisë paraditen e djeshme bëri edhe inaugurimin e përfundimit të punimeve për rindërtimin dhe shtesën e re të shkollës 9-vjeçare dhe nuk nguroi të theksojë se ky problem në PS ka ardhur nga lidershipi që po drejton partinë. “Me ardhjen në krye të Partisë Socialiste të pinjollëve të Bllokut, në këtë parti është rikthyer kultura e Bllokut. Ata po bëjnë një propagandë moniste, të cilën etërit do t’ua kishin lakmi. Anti-kultura e Bllokut është shprehje e dështimit total të lidershipit të PS-së”, deklaroi kreu i qeverisë gjatë fjalës së mbajtur përpara banorëve të zonës. Kryeministri theksoi se në bazë të kësaj propagande të re që kjo parti po mban, kërkon të nxijë të gjithë punën e qeverisë. “Sipas kësaj propagandë të mirëfilltë kulturë blloku, nuk po ndërtohen rrugë të reja, nuk po ndërtohen shkolla të reja, nuk po ndërtohen ujësjellës të rinj, paçka se po përfundohen me qindra e qindra projekte në mbarë Shqipërinë”, theksoi Berisha, duke i quajtur këto qëndrime të PS-së si krejtësisht joeuropiane. Kryeministri theksoi se kultura e bllokut zbatohej nga ana e socialistëve vetëm për motive personale dhe jo të shqiptarëve, ndërsa theksoi se ishin qytetarët ata që e bënin diferencën dhe kishin mundësinë të shikonin qartë punët që po bënte qeveria. Por sipas kreut të qeverisë, kultura e Bllokut kërkonte edhe të dhunonte votën e lirë që shqiptarët hodhën më 28 qershor të vitit të kaluar. “Në emër të kësaj antikulture përpiqet të shkelmohet vota juaj. Në emër të kësaj antikulture përpiqen ta dhunojnë votën tuaj, vullnetin tuaj.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›