E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banda e Lushnjës, shtyhet procesi pas gabimit të KLD-së

Këshilli caktoi gjyqtaren Ardiana Beraj për të zëvendësuar Artan Brocin

Procesi i djeshëm gjyqësor ndaj bandës së Durrësit është karakterizuar nga debate për zëvendësimin e anëtarit të trupit gjykues, Artan Broci, i cili është transferuar në Gjykatën e Apelit Tiranë. Këshilli i Lartë i Drejtësisë kishte zëvendësuar disa ditë më parë Brocin me gjyqtaren Ardiana Beraj. Në fillim të seancës, avokati Vladimir Meçi, që mbron interesat e kreut të bandës së Lushnjës, Aldo Bare, i kërkoi gjykatës se cila ishte rruga që gjyqtarja ishte zgjedhur për të qenë pjesëtare e Kolegjit Penal të Gjykatës së Krimeve të Rënda. Kryegjyqtarja Fatmira Hajdari tha se përzgjedhja është realizuar nga KLD-ja dhe nuk kishte dijeni për mënyrën e përzgjedhjes me short apo në bazë të performancës së Berajt. Teksa gjyqtarja Hajdari ka përmendur emrin e gjyqtares së re, prokurori i çështjes Besnik Muçi ka reaguar. Ai ka kërkuar që Beraj të mos jetë pjesë e trupit gjykues, pasi sipas tij ajo ka marrë pjesë në një seancë për sigurim provë në procedimin ndaj Rexhep Gines, një nga të akuzuarit e bandës së Aldo Bares. Ndërkohë, avokati Meçi vijoi kërkesën për të mësuar nëse përzgjedhja e Ardiana Berajt është bërë me short ose jo. Debatet e shkaktuara në sallë e detyruan trupin gjykues që të pezullojë seancën dhe ta shtyjë atë për një datë tjetër. Duket se një gabim i KLD-së ka pezulluar përkohësisht procesin dhe tashmë pritet që të gjitha procedurat për zëvendësimin e gjyqtarit Artan Broci të nisin nga e para. Aldo Bare është në proces gjykimi në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Ai gjykohet veçmas bandës për një sërë veprash të rënda penale, mes të cilave krijim dhe drejtim të organizatave kriminale, për vrasje të kryera në kuadër të organizatës kriminale, pengmarrje etj.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›