E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata e Lartë: Nëse ka pronarë në objektet në pronësi të sindikatës, atëherë u kthehet pronarëve



Gjykata e Lartë, në një vendim unifikues në vitin 2002, ka sqaruar përfundimisht se në rastin e pronave të përfituara nga sindikatat në vitin 1992, të cilat kanë pronarë të vjetër, atëherë në asnjë rast dhe rrethanë qeveria nuk mund t’i shtetëzojë ato dhe në asnjë rast edhe rrethanë sindikatat nuk mund t’i përdorin, pasi prioritet ka Ligji Nr. 7698, datë 15.04.1993 "Për kthimin dhe kompensimin e pronave ish-pronarëve", duke qenë se ky ligj qëndron mbi të gjitha ligjet dhe dispozitat e tjera që bien në kundërshtim me të. Më poshtë konkluzioni i vendimit të Gjykatës së Lartë në vitin 1993:
“Si përfundim, Dekreti Nr. 204, datë 05.06.1992 (i ish-presidentit Berisha) do të ruante fuqinë, po ta kish fituar atë rregullisht, dhe Ligji Nr. 8340/1, datë 06.05.1998 do të ishte i zbatueshëm përsa u përket pronave në formën e ndërtesave të pandryshuara apo trojeve të pazëna, duke i lënë ato në pronësi të sindikatave, vetëm në eventualitet të ekzistencës se kushteve të neneve 23 e 24 të ligjit të kthimit të pronave, si dhe, në mënyre evidente, në rastet kur ish-pronarët (trashëgimtarët e tyre) rezulton të mos u jenë drejtuar komisioneve të kthimit e kompensimit të pronave të ngritura pranë bashkive e këshillave të rretheve. Kuptohet që këtu nuk vihet në diskutim fitimi nga sindikatat i pronësisë mbi pasurinë shtetërore që shteti ka vendosur t`ua kalojë sindikatave dhe që nuk ka lidhje me atë pasuri të paluajtshme që u kthehet ish-pronarëve apo trashëgimtarëve të tyre. Gjithashtu nënvizojmë se Ligji Nr. 7698, datë 15.04.1993, në Nenin 29 të tij, parashikon se, ‘Të gjitha dispozitat ligjore që vijnë në kundërshtim me këtë ligj, shfuqizohen’. Në këtë drejtim nuk do të bënte përjashtim edhe Dekreti Nr. 204, datë 05.06.1992 edhe sikur ai të kish marrë fuqi juridike pas nxjerrjes së tij, nëpërmjet kundërfirmimit të tij, sipas Nenit 29 të Ligjit Nr.7491, datë 29.04.1991 ‘Për Dispozitat Kryesore Kushtetuese’. Ai do të gjente zbatim vetëm brenda hapësirës që nuk do të krijonte ndeshje me ligjin e kthimit e të kompensimit të pronave. Brenda kësaj hapësire do të gjejë zbatim gjithashtu edhe Ligji Nr.8340/1, datë 06.05.1998, i cili ka marrë përsipër të rregullojë pasojat që kanë rrjedhur nga zbatimi i dekretit …’. Edhe ‘rregullimi i pasojave’ për të ardhmen nuk mund të bëhet në një mënyrë të tillë që t`u bie ndesh dispozitave të ligjit të kthimit e kompensimit të pronave ish-pronarëve. Në të gjitha rastet kur ka konflikt midis ish-pronarëve e sindikatave, përparësi në zgjidhjen e tyre merr interpretimi e zbatimi i Ligjit Nr.7698, datë 15.04.1993. Kjo përparësi respektohet jo vetëm kur këto konflikte që kanë lindur janë gjykuar dhe vendimet kanë marrë formë të prerë para hyrjes në fuqi të Ligjit Nr.8340/1, datë 06.05.1998, por edhe për rastet e vërtetuara pas hyrjes në fuqi të këtij ligji”.

20 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›