E Diel, 1 Nëntor 2026

Nano-Malaj, takimi para kongresit

 

Aristir Lumezi

Ish-kryetari socialist Fatos Nano dhe Arben Malaj kanë drekuar për rreth 3 orë në një nga lokalet e kryeqytetit. Vetëm 10 ditë para kongresit të fundgushtit, Nano dhe Malaj kanë shkëmbyer për herë të parë mendime mes tyre rreth situatës së fundit në PS dhe garës për drejtimin e partisë pas humbjes së zgjedhjeve të 28 qershorit. Mësohet se dreka është zhvilluar në një nga lokalet e njohura të kryeqytetit pranë kodrave të Liqenit, të cilin Nano e frekuenton shpesh. Gazeta “Panorama” ka kontaktuar me njerëz pranë Nanos dhe Malajt për të zbardhur sadopak atë që është diskutuar në këtë takim dhe qëndrimin që bashkëbiseduesit kanë mbajtur rreth zhvillimeve në PS. Mësohet se ka pasur dy linja mbi të cilat është biseduar. Sipas tyre, njëra linjë e bisedës ka të bëjë me rolin që Nano pritet të luajë në këtë garë dhe në këtë proces që do të kulmojë me kongresin e jashtëzakonshëm të 29 gushtit. Po të njëjtat burime pohojnë se Nano nuk pritet të ketë një rol aktiv në këtë proces, madje ai ndoshta nuk do të marrë pjesë në kongresin e fundgushtit. Ndërsa, sipas linjës tjetër, mësohet se Nano ka mbështetur vendimin e Malajt për të garuar përballë Ramës dhe e ka inkurajuar atë t’i shkojë kësaj gare deri në fund, për të mos e lënë Ramën të vetëm. Gjithashtu mësohet se biseda e tyre ka prekur dhe paketën për ndryshimet statutore që do t’i propozohet kongresit, paketë e cila synon të “dobësojë” pushtetin e kryetarit të partisë dhe t’i japë peshë forumeve në PS. Malaj kandidon për herë të parë për kreun e PS-së, ndërsa ka qenë në 1999 kandidat për kryeministër në KPD-në socialiste përballë Ilir Metës. Ndërkaq mbështetës të grupit të deputetëve dhe anëtarëve të Asamblesë që kërkojnë zbatimin e statutit dhe pranimin e rezultatit humbës të zgjedhjeve, kanë nisur nga puna për mbledhjen e firmave të delegatëve në bazën socialiste, me anë të të cilave do të kërkojnë në kongres miratimin e ndryshimeve statutore, duke shprehur njëkohësisht dhe qëndrimin e tyre në mbështetje të zbatimit të statutit aktual të PS-së, të largimit të kryetarit të partisë në rast humbjeje të zgjedhjeve parlamentare. Malaj bashkë me Ben Blushin ishin të parët në mbledhjen e kryesisë socialiste menjëherë pas zgjedhjeve të 28 qershorit që kërkuan njohjen e rezultatit humbës dhe nisjen e analizës për këtë humbje. Ish-ministri socialist i Financave ishte i pari që shpalli kandidaturën e tij për kreun e PS-së dhe ka kërkuar mosrikandidimin e Edi Ramës pas humbjes në këto zgjedhje. Sipas tij, një nga faktorët që çoi PS-në në këtë humbje ishte dhe personalizimi i tejskajshëm i fushatës zgjedhore nga Rama, por dhe pamundësia e tij për të bashkuar të majtën ashtu siç ai kishte premtuar në vitin 2005, kur erdhi në krye të PS-së.

Edi Rama
Kryetari aktual i PS-së, Edi Rama, është shprehur se do të rikandidojë për të marrë sërish postin e kryetarit dhe pse statuti përcakton ndërprerjen e mandatit të tij në rast humbjeje të zgjedhjeve parlamentare, duke e konsideruar këtë një dështim të projektit të tij.

Arben Malaj
Deputeti socialist i Vlorës, ish-ministri i Financave, Arben Malaj, ka deklaruar publikisht vendimin e tij për të kandiduar për kreun e PS-së, edhe në rast se do të ketë përballë Edi Ramën.

Nikollë Hoti
Kandidati më i ri në garën për kryetarin e PS-së është dhe Nikollë Hoti, nga Lezha, i cili ka paraqitur pranë Asamblesë Kombëtare një kërkesë zyrtare, ku shpreh vullnetin e tij për të hyrë në garën për kreun e PS-së. Ai kërkon një garë të ndershme dhe transparente.   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›