E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha sulmon programin e PS për përmbajtje me doza marksiste-leniniste

Premtohet barazim i pensioneve-fshat qytet, në mandatin e dytë qeverisës
Kryeministri Sali Berisha ka sulmuar programin qeverisës të Partisë Socialiste, si të bazuar në ide marksiste leniniste, siç ishte ai për sovranitetin ushqimor. Njëkohësisht kreu i qeverisë ka kritikuar artikulimin e liderit socialist Rama në turin e tij, i cili sipas Berishës përmban doza të larta të teorisë marksiste-leniniste. Unë shfletova dhe pashë që teoria e sovranitetit ushqimor ishte formuluar nga disa grupe marksiste-leniniste të Brazil, kur kishin organizuar një tubim anti- global kundër tubimit kombëtar, për ti dhënë fund varfërisë. Në qoftë se zoti Rama servir platforma të tilla për fermerët e Shqipërisë, ta harrojë se mund të mashtrojë qoftë edhe një fermer të vetëm.Po ky grup që kishte shpikur doktrinën e sovranitetit ushqimor anti- global, është grupi që vite më parë i kishte dhënë gjysmë dajës së Edi Ramës, Sofo Lazeri, çmimin e ushqimit, ndërkohë kur ju i kishit vatrat bosh, ka deklaruar kreu Berisha. Sipas tij, fermeri shqiptar nuk ka nevojë përsovranitet ushqimor, pasi ai prodhon vet ushqime nga më të mirat, nuk ka nevojë as për enciklikat e Edi Ramës, i cili është i vetmi politikan në botë që flet për to. Nisur nga ky fakt, Berisha ka kërkuar një kujdes të veçantë nga terminologji të tilla, fakt të cilin e ka lidhur me idenë që shtetasit shqiptarë të shkojnë të bindur në zgjedhje se çdo votë majtas është votë pas. Interesat tona janë rrugët e shtruara, janë prodhimet tona në treg, interesat tona janë që fëmijët tanë të shkollohen në shkolla moderne, të kemi vaditje për tokën, të kemi ujë të pijshëm. Unë ju garantoj se do të punojmë së bashku për ti  plotësuar të gjitha këto interesa, ka theksuar kreu i qeverisë.
Mandati i dytë barazon pensionin e fshatit me të qytetit
Kryeministri u ndal gjithashtu në premtimin e mbajtur të qeverisë për dyfishimin e pensioneve në fshat, duke siguruar se ky është vetëm hapi i parë, pasi hapi i dytë i madh do të jetë barazimi i pensioneve të fshatit me pensionet në qytet. Në 3 vite, ne kemi vendosur në pensionet tuaja një shumë të njëjtë me aq sa është vendosur në 17 vite të marra së bashku. Ju i meritoni plotësisht ato. Unë ju garantoj se ky është vetëm hapi i parë i madh. Hapi i dytë i madh do të jetë barazimi i pensioneve tuaja me pensionet në qytet, sepse e meritoni plotësisht, është shprehur Berisha. Gjithashtu, gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë i kërkoi sërish shqiptarëve që nga Farka që të marrin dokumentet e reja të identitetit, të cilat sipas tij për nga vlerat do të barazonin vendin tonë me qytetarët e Gjermanisë, Francës etj. Duhet të marrim Kartat e Identitetit sepse në këto zgjedhje duhet ti faktojmë njëri-tjetrit, ti faktojmë Europës dhe botës, NATO-s që na dha një besim kaq të madh, se ne do të votojmë si qytetarë të lirë, me dinjitet të plotë, vijoi kryeministri, i cili premtoi se qeveria do mbështesë projektet për urbanizimin, sikundër edhe projektin e ullirit. Kryeministri Berisha mori pjesë në inaugurimin e nisjes së punimeve për rrugën Farkë- Baldushk, investim i buxhetit të shtetit, me vlerë rreth 500 milionë lekë. Ky segment rrugor ka një gjatësi prej 14 kilometra. Me këtë rrugë, i jepet një lidhje e re shumë e fuqishme dhe shumë e rëndësishme Tiranës me Shqipërinë Juglindore dhe Shqipërinë Jugore, ndërkohë që kjo rrugë do të jetë një nga segmentet më të fuqishme të boshtit të jugut, vlerësoi kreu i qeverisë. Ndër të tjera, gjatë fjalës së tij Berisha siguroi se pas këtij segmenti rrugor, do të fillojë ndërtimi i rrugës Baldushk- Papër dhe në këtë mënyrë kompletohet një aks i ri rrugor midis Tiranës dhe Elbasanit, si dhe premtoi se investimet në këtë zonë do të jenë 2 herë më të mëdha se sa kanë qenë deri më sot.

Last Updated on Friday, 17 April 2009 07:31

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›