Këshilli Europian: Shqyrtimi i aplikimit, vetëm pas zgjedhjeve
Cristina Nagy, zëdhënësja e komisionerit për zgjerim Olli Rehn, ka deklaruar se pavarësisht faktit se qeveria shqiptare është konsultuar me Komisionin dhe presidencën çeke të BE, mbi datën e aplikimit, nëse dorëzohet kjo kërkesë në fund të prillit, drita jeshile që Komisioni të nisë shqyrtimin nuk pritet të ndizet para zgjedhjeve. Sipas saj, përcaktimi i datës për aplikimin e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat i takon presidencës se BE-së, në marrëveshje me autoritetet shqiptare.
Përsa i takon Komisionit, ne jemi në kontakte të rregullta me vendet potencialisht kandidate të tilla, si Shqipëria dhe në këtë kontekst, çështja e ndonjë aplikimi të mundshëm është diskutuar disa herë gjatë muajve të kaluar, por i takon presidencës Çeke të bjerë dakord për të fiksuar një datë për dorëzimin e aplikimit, ka deklaruar zëdhënësja e KE. Gjithashtu, nga burime jozyrtare pranë presidencës çeke të BE, mësohet se ata janë në dijeni se kryeministri Sali Berisha do të dorëzojë në datën 28 prill në Pragë aplikimin e Shqipërisë për statusin kandidat. Ndërsa Praga është shprehur pro nismës së Shqipërisë për të hedhur këtë hap në fund të mandatit të presidencës Çeke të BE, Komisioni duket më i vendosur kundër këtij aplikimi. Komisioneri Olli Rehn ka deklaruar se do të ishte më mirë që Shqipëria të aplikonte pas mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme, deklaratë të cilën e ka përkrahur edhe zëdhënësja e tij Nagy, e cila ka përsëritur se ecuria e zgjedhjeve të qershorit mbetet kyç për vlerësimin e aplikimit për statusin kandidat. Sipas saj, zbatimi i suksesshëm i reformave kyçe, në veçanti ato për shtetin ligjor dhe funksionimin demokratik të institucioneve, përbëjnë elementin kryesor që Bashkimi Europian të konsiderojë ndonjë aplikim të mundshëm për anëtarësim. Në veçanti zgjedhjet parlamentare të Shqipërisë, që mbahen në fund të qershorit, do të jenë test madhor për demokracinë e Shqipërisë. Kjo është ajo çfarë kemi thënë deri tani dhe ky është pozicioni i prerë i komisionit, por mund të shtoj se dorëzimi i aplikimit për anëtarësim në BE është sigurisht një hap i rëndësishëm, ka theksuar Nagy duke veçuar të rëndësishme edhe faktin që ky hap të ndiqet nga vendimi i Këshillit Europian për ti kërkuar Komisionit përgatitjen e opinionit mbi meritat e këtij aplikimi. Duke u bazuar tek kjo deklaratë, nuk na mbetet gjë tjetër veçse të shpresojmë në zgjedhje sipas standardeve të kërkuara, në të kundërt nëse mbarëvajtja e zgjedhjeve të qershorit, dështon, atëherë vendi ynë rrezikon të marrë një opinion negativ nga KE dhe do të duhej kohë që kjo dosje të nxirrej nga sirtari i burokracisë evropiane.