E Diel, 1 Nëntor 2026

Kroacia konfirmon marrëveshjen me Shqipërinë për impiantin nuklear

Pavarësisht se Mali i Zi ka shfaqur qëndrimin e tij kundër ndërtimit të këtij impianit, zyrtarët kroatë nga ana e tyre konfirmojnë firmosjen me vendin tonë, për ndërtimin e një impianti të përbashkët bërthamorë në Shqipëri afër kufirit me Malin e Zi. Ka qenë zëdhënësi i ministrit kroat të Ekonomisë, Tomoslav Mazal, i cili gjatë një prononcimi televiziv ka deklaruar se dy qeveritë e dy vendeve kanë formuar një grup pune prej 5 ekspertësh, të cilët kanë si detyrë që të zbatojnë nga ana teknike këtë projekt të madh. Mediat kroate kanë njoftuar më parë se kontrata është firmosur mes kryeministrit shqiptarë Sali Berisha dhe kryeministrit kroat Ivo Sanader. Impianti do të ndërtohet afër Shkodrës aty ku lumi i Bunës buron nga liqeni i Shkodrës në detin Adriatik, afër kufirit me Malin e Zi. Sipas medias së Podgoricës impianti do të kushtojë 4 miliardë euro dhe do të ketë kapacitet 1500 megavat. Ndërtimi i impiantit do të bëhet nga kompania shtetërore elektrike kroate HEP, ndaj dhe pjesa më e madhe e energjisë së prodhuar do të shkojë në Kroaci. Pas njoftimit që përkon edhe me 30 vjetorin të tërmetit shkatërrues që goditi bregdetin malazez në vitin 1979, eksperti i ndërtimeve Cedomir Cejoviç, ka paralajmëruar për rreziqet e ndërtimit të një impianti të tillë në një zonë që njihet për aktivitetin sizmik. Ndërkohë nga pala shqiptare ende nuk ka ndonjë koment për rreziqet e ndërtimit të këtij impianti.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›