Qeveria: Kuvendi të miratojë sa më shpejt ligjin për biznesit e vogël
Zëdhënësja e kryeministrit Juela Meçani nëpërmjet një deklarate për shtyp i ka kërkuar Kuvendit të Shqipërisë përshpejtimin e miratimit të ligjit për mbrojtjen e biznesit të vogël. Për arsye se në drejtim të kryeministrit kanë ardhur kërkesa të shumta nga përfaqësues të biznesit të vogël, të cilët kërkojnë hyrjen sa më shpejtë në fuqi të ligjit që mbron biznesin e vogël nga tatimet abuzive, të cilat e rëndojnë atë, kryeministri Berisha ka komunikuar me kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë Znj. Jozefina Topalli dhe i ka kërkuar asaj që të bëjë çdo përpjekje në mënyrë që ligji, i cili mbron biznesin e vogël nga tatimet abuzive, të miratohet sa më shpejt, ka bërë të ditur zëdhënësja e kryeministrit.
Ligji është miratuar gjatë mbledhjes së fundit të qeverisë, i cili u vendos një kufi prej 10%, drejtuesve të qeverisjes vendore për vendosjen e taksës mbi biznesin e vogël. Berisha e kishte paralajmëruar një vendim të tillë disa javë më parë, ndërkohë që debatet qeveri-bashki për taksat lokale mbi biznesin e vogël kanë vazhduar. Nëpërmjet këtij ligji, sipas kreut të qeverisë parashikohet mbështetja e biznesit të vogël, ku Berisha lajmëroi se organi tatimor qendror, me një Task Force të veçantë, do të shqyrtojë me përparësi çdo ankesë të biznesit të vogël dhe qeveria do të ketë tolerancë zero ndaj abuzimit me të. Sipas tij, qeveria ashtu siç po bën këtë ligj, mund të bëjë edhe ligje të tjera për ta mbrojtur atë.