E Diel, 1 Nëntor 2026

“Berisha t u kërkojë falje ndërkombëtarëve”

Autori i Lajmit: red.
“Sali Berisha është kapur pas viktimave të komunizmit për të shpëtuar anijen e qeverisë së tij që po mbytet në kënetën e korrupsionit dhe as nuk po do t ia dijë për kërcënimin që i vjen procesit zgjedhor për shkak të papërgjegjshmërisë së tij”. Kështu pohoi dje, Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama. Madje, tha Rama, ai shkon aq larg sa të mohojë publikisht, jo vetëm deklaratën e qeverisë së Shteteve të Bashkuara për antikushtetueshmërinë e projektligjit famëkeq, po edhe telefonatën me një zyrtar të lartë amerikan e mik të shquar të shqiptarëve, i cili i ka shprehur drejtpërdrejt Kryeministrit shqiptar shqetësimin serioz të partnerit tonë të madh për këtë hap aspak të dëshiruar në kundërshtim me Kushtetutën e me shtetin ligjor. “Jemi gati të hapim dosjet, të gjitha dosjet, dhe jemi gati të votojmë një ligj të standardeve evropiane që ka pëlqimin e partnerëve tanë të pazëvendësueshëm ndërkombëtarë, duke filluar nga qeveria amerikane, së cilës i kërkoj ndjesë në emër të qytetarëve të Shqipërisë për sjelljen joserioze të Kryeministrit ndaj shqetësimeve të shprehura prej përfaqësuesve të saj. Do të doja që këtë ndjesë ta kërkonte sot vetë Kryeministri dhe uroj megjithë zemër që këto lajthitje të turpshme të Sali Berishës të mos përsëriten, së paku, me miqtë e partnerët e Shqipërisë”, - tha ai.
Ky lajm është publikuar: 23/12/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›