E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Gjykata Administrative të veçohet nga Reforma në Drejtësi”

Autori i Lajmit: red.
Konfindustria ka kërkuar dje në Komisionin e Ligjeve, krijimin sa më të shpejtë të Gjykatës Administrative. Gjatë seancës në Komisionin e Ligjeve, administratori i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku, tha se mungesa e Gjykatës Administrative në sistemin e drejtësisë godet rëndë psikologjikisht dhe realisht biznesin dhe industritë shqiptare. Sipas tij, në kushtet e krizës globale ekonomike dhe financiare, është e domosdoshme krijimi sa më i shpejtë i Gjykatës Administrative. Konfindustria kërkoi në Komisionin e Ligjeve përshpejtimin e procedurave ligjore për funksionimin sa më të shpejtë të institucionit në fjalë edhe kështu mjaft të vonuar krahasimisht të gjitha vendeve të tjera jo vetëm të BE, por edhe të rajonit. Por administratori i Konfindustrisë kërkoi gjithashtu që projektligji për Gjykatën Adminsitrative të veçohet nga Reforma e Drejtësisë. “Kërkojmë veçimin e projektligjit për Gjykatën Administrative nga paketa ligjore për drejtësinë dhe miratimin në një kohë sa më të shpejtë me konsensus nga pozita dhe opozita nga Kuvendi i Shqipërisë të këtij drafti”, - u shpreh Buxhuku. Duke vlerësuar parimisht draftin e paraqitur, Konfindustria kërkoi domosdoshmërinë e ndryshimeve për të bërë të mundur përfshirjen në trupin gjykues të gjyqtarëve me formim profesional: ekonomik, financiar, teknik, etj. “Shembulli i vendeve të zhvilluara demokratike flet qartë për nevojën e mësipërme. Në rast të kundërt rrezikojmë, që pasi të kemi ndërtuar institucionin dhe përcaktuar procedurat, të dështojmë pikërisht nga mungesa e aftësisë profesionale të trupit gjykues për çështje, që detyrimisht do të kenë nevojë për thellim profesional shumë më të plotë. Rastet e paaftësisë profesionale të gjyqtarëve janë të shumta sot në përplasjet ndërmjet biznesit dhe shtetit”, - u shpreh ai. Konfindustria, gjithashtu ka ndjekur nga afër gjithë procesin përkatës të formulimit të draftit ligjor përkatës nga Ministria e Drejtësisë dhe grupi përkatës i ekspertëve vendas dhe të huaj.
Ky lajm është publikuar: 23/12/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›