E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi: “Përgjigjja ime, dekreti”

Autori i Lajmit: red.
Pak orë përpara votimit në seancë plenare të ligjit për dosjet, Presidentit i Republikës futet në debat, duke kujtuar qëndrimin e tij të shkuar në lidhje me çështjen. “Ju bëj thirrje t i riktheheni arkivës, secila nga mediat ka arkivën e vet dhe aty do të gjeni të gjitha deklaratat e mia, për sa i përket çështjes së dosjeve”, - u shpreh Topi. Duke iu rikthyer pikërisht së shkuarës, më 25 tetor 2006, kryetari i atëhershëm i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Bamir Topi, kërkonte pastrimin e politikës dhe organeve kushtetuese nga ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit. Ndërsa dje, Topi u shpreh se në rast se do ta pyesin si politikan, gjithnjë ka qenë i hapur për ta parë këtë çështje sa më shpejt, në mënyrë profesionale, të gjerë dhe komplekse. "Ai që kërkon të bëjë karrierë, natyrisht që ka disa detyrime parësore dhe kjo në radhë të parë ka të bëjë me pastërtinë morale”, - u shpreh Topi. Por, a ka ndryshuar qëndrimi me kalimin e kohës dhe pozicionin e ri si President i Republikës? “Si President, flas nëpërmjet dekretit", - u shpreh Topi. Ky deklarim i Presidentit shpreh në fakt një konstante të tij, qëndrimin pro Kushtetutës. Dhe në rast se versioni i tanishëm në optikën e Presidentit nuk është konform me Kushtetutën, ashtu siç kanë paralajmëruar Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, OSBE, si dhe faktorë qendrorë politikë në vend, ai ruan të drejtën ta kthejë atë. Një gjë e është e sigurt, versioni i paraqitur dje nga mazhoranca, nuk është i njëjtë me atë ku Bamir Topi kishte vënë firmën si kryetar i Grupit Parlamentar, dy vjet më parë. Arsye të forta, politike dhe kushtetuese, për të interpretuar se pozicioni i Kreut të Shtetit, nuk ka ndryshuar nga ai i vitit 2006.
Ky lajm është publikuar: 23/12/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›