E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Spiunët” Kuvendi miraton draftin e demokratëve

Autori i Lajmit: Suela Topi
Kuvendi miraton, pa praninë e opozitës, projektligjin “Për pastrimin e figurave të zyrtarëve të lartë të administratës dhe të zgjedhurve”. Me 74 vota pro, 2 abstenime dhe 1 kundër, mazhoranca ka kaluar variantin e saj të këtij drafti, edhe pas kundërshtimeve të vazhdueshme të ndërkombëtarëve. Nënkryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Erjon Braçe, ka kundërshtuar në emër të socialistëve miratimin e ligjit për dosjet. Sipas Braçes, ligji nuk ka për qëllim transparencën, nuk dënon diktaturën e komunizmit, por mbron diktaturën e korrupsionit. Kundër draftit është shprehur dhe Partia Socialdemokrate, e cila ka braktisur seancën. Kundër draftit u shpreh dhe kreu i deputetëve të LSI-së, Pëllumb Xhufi. Kryeministri Sali Berisha tha se ligji i dosjeve nuk është ligj për hakmarrje, por ligj për t i dhënë drejtësi së shkuarës. Duke ironizuar dhe akuzuar opozitën për mosprezencën në seancë, Kryeministri deklaroi se “opozitarët mungojnë, sepse nuk flasin dot, nuk shtypin dot butonin, sepse i shoqërojnë dhjetëra mijëra viktima të së shkuarës. PS-ja nuk ka kërkuar kurrë ndjesë për viktimat e komunizmit”.
Diskutimet
Deputetët e Kuvendit kanë votuar në parim, me prezencën vetëm të mazhorancës, projektligjin “Për pastërtinë e figurave të zyrtarëve të lartë”. Projektligji i shumëdebatuar ka marrë 74 vota në parim, 2 kundër dhe 1 abstenim. Opozita nuk ka marrë pjesë në votim, dhe ka braktisur seancën plenare, duke e konsideruar këtë ligj antikushtetues dhe në kundërshtim me të gjitha institucionet ndërkombëtare. Deputetët e opozitës kanë kritikuar ashpër draftin e demokratëve. Nënkryetari i LSI-së, Pëllumb Xhufi, në fjalën e tij në seancë është shprehur se ky ligj ka ardhur në një kohë të papërshtatshme dhe për të goditur politikisht. “Nuk është rasti i këtij projektligji, ai vjen në një kohë të papërshtatshme. Ky ligj ka pasur kontestime të shumta. Gjithashtu, është një projektligj i cili synon të godasë politikisht institucionin e Prokurorisë dhe Gjykatës, të cilët janë të angazhuar në zgjidhjen e disa çështjeve madhore që kanë të bëjnë me korrupsionin”, - tha Xhufi, ndërsa e konsideroi si të pamoralshëm këtë projektligj. Sipas Xhufit, ky projektligj, bashkë me atë të Kodit Zgjedhor, janë dy momente ku po krijohet acarimi i klimës politike për të mbuluar çështje më madhore. “Ky ligj mashtrues për pastërtinë e figurës, ashtu si Kodi Zgjedhor janë dy pseudoligje që kanë qëllime të ndryshme nga ato që u thuhen shqiptarëve”, - përfundoi Xhufi. Ndërsa nënkryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Erjon Braçe, ka kundërshtuar në emër të socialistëve miratimin e ligjit për dosjet. Sipas Braçes, ligji nuk ka për qëllim transparencën, nuk dënon diktaturën e komunizmit, por mbron diktaturën e korrupsionit. Ai tha se drafti për ligjin e dosjeve ka reflektuar shqetësim edhe tek ndërkombëtarët. “Ligji ka sjellë shqetësim për SHBA-në, Britaninë dhe OSBE-në. Ambasadori i OSBE-së, ashtu si dhe ai i SHBA-së, tha se ligji cenon disa nene të Kushtetutës, por Berisha heshti”. Sipas tij, liria e Berishës për të sunduar, refuzimi i tij për ndërkombëtarët tregon qëllimin antikushetues të miratimit të këtij ligji nga pozita aktuale. Ndër të tjera, nënkryetari i PS-së, duke iu referuar deklaratës së Berishës se ligji për dosjet është i njëjtë me ligjin e dosjeve në Çeki, u shpreh se Berisha gënjeu kur tha se ligji është binjak me atë çek, nuk ka asnjë gërmë të ngjashme me ligjin çek për gjykatën dhe prokurorinë. “Debati për ligjin është i pamoralshëm. PS-ja që në 91 ka kërkuar falje për viktimat e komunizmit, ndërsa Berisha nuk e ka bërë kurrë këtë. Berisha ka qenë në krahun e diktatorëve dhe jo të viktimave të diktaturës”, - shtoi Braçe. Pas fjalës së tij, reagoi kryeministri Berisha, i cili tha se ligji i dosjeve nuk është ligj për hakmarrje, por ligj për t i dhënë drejtësi së shkuarës. “Opozitarët mungojnë, sepse nuk flasin dot, nuk shtypin dot butonin, sepse i shoqërojnë dhjetëra mijëra viktima të së shkuarës. PS-ja nuk ka kërkuar kurrë ndjesë për viktimat e komunizmit. Nuk mund t i iket në këtë mënyrë historisë, o burracakë dhe frikacakë. Opozita fshihet njësoj si dosjet”, - tha ai. Sipas Sali Berishës, ligji i dosjeve legjitimon bazën, prejardhjen e opozitës, lidhjen e tyre me mijëra fije me aparate të kobshme të diktaturës, që e shndërroi Shqipërinë në vendin e dhunës më mizore.

Ky lajm është publikuar: 23/12/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›