E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vijon shpallja e emrave të rinj në PS

13/03/2005  Partia Socialiste në përgatitjen për zgjedhjet për Kuvend do të synojë dhe rinovim të emrave aktualë. Burime në PS-së kanë zbardhur disa prej zonave, të cilat aktualisht drejtohen nga deputetë socialistë, por do të zëvendësohen nga emra të rinj, të cilët po japin kontributet e tyre në administratën publike dhe shtetërore të vendit. Kështu, zëvendësministri i Integrimit, Arben Ahmetaj, do të kandidojë në zonën e ministrit të Mjedistit, Et'hem Ruka, në njësinë numër 7 të kryeqytetit. Në zonën e Librazhdit, Tauland Balla, do të zëvendësojë deputetin Maksut Balla. Në qytetin e Beratit, zona e cila ka zgjedhur si deputet Flamur Rogun, do të ketë kandidat anëtarin e kryesisë së këtij qyteti, Arjan Kokoshin. Në qarkun e Korçës, deputeti aktual Rahmi Mehtollari mësohet të zëvendësohet nga kryetari i Komisionit Shtetëror të Kulteve, Ilir Kulla. Ndërkohë mësohet se rinovime do të ketë dhe për deputetë aktualë si Fatmir Xhindi, Hasan Hoxha, Mustafa Xhani do të jenë kandidatura të diskutuara për t'u zëvendësuar me emra të rinj të PS-së. Rinovimi i partisë do të shoqërohet dhe me zgjedhjen e emrave të tjerë, të cilët do të plotësojnë boshllëqet e krijuara nga largimi i 9 deputetëve të PS-së te LSI-ja. Kështu zona e Monika Kryemadhit synohet të mbulohet nga Igli Toska. Zona e Spartak Brahos në rrethin e Durrësit nga Emin Barçi. Në Skrapar, Ilir Meta do të zëvendësohet nga Aldon Shameti. Në Fier, zona e Dritan Priftit do të ketë kandidatë të PS-së, Rajmonda Stefën. Ndre Legisi do të zëvendësohet nga Mark Nikolla. Eduard Alushi në Vlorë do të zëvendësohet nga Bashkim Abili. Mustafa Muçi medohet të zëvendësohet nga ministri i Arsimit, Luan Memushi. Ndërkohë që ende nuk është përcaktuar se kush kandidat i PS-së do të zëvendësojën Sabit Brokaj dhe Limoz Dizdarin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›