Berisha takim me të rinjtë, pezullohet mësimi
Për takimin e djeshëm më të rinjtë, drejtoria arsimore ndërpret mësimin. Reagon PS-ja, G99-a dhe LSI-ja.
VLORË- Për të mbushur ambientet e Pallatit të Sportit të qytetit të Vlorës me të rinj, Kryeministrit Sali Berisha i ka shërbyer një udhëzim i brendshëm, i nxjerrë dje nga Drejtoria Arsimore Rajonale e qytetit. Dje paradite, dyert e shkollave të qytetit bregdetar janë mbyllur shumë herët.
Në qytet vinte Kryeministri Sali Berisha për të propaganduar pikërisht përparësinë e qeverisë së tij, arsimin, edhe pse vetë ai e shkeli me të dyja këmbët, teksa, për të zhvilluar një takim "madhështor", përmes një urdhri të brendshëm, pezulloi mësimin në shkolla.
Gjatë fjalës së mbajtur me të rinjtë e qytetit, Berisha u shpreh se, ky takim zhvillohej pas dy ngjarjeve të rëndësishme, siç është anëtarësimi me të drejta të plota në NATO dhe paraqitja e kërkesës për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ai shtoi se Vlora është në rrugën e pakthyeshme drejt zhvillimit dhe modernizimit.
Në rast fitoreje të zgjedhjeve të qershorit, Kryeministri premtoi se liberalizimi i vizave do të jetë objektivi kryesor për t'u arritur. Në të njëjtën kohë, Kryeministri shtoi se arsimi do të jetë përparësia kryesore.
Reagon PS
I menjëhershëm ka qenë reagimi i socialistëve të Vlorës, për bojkotin e ditës së hënë, për shkak të vizitës së Kryeministrit Berisha. Kreu i PS-së së Vlorës, Eltar Deda, i shoqëruar dhe nga socialistë të tjerë, e ka denoncuar këtë fakt pikërisht në ambientet e jashtme të shkollës së mesme "Ali Demi", ku mësimi kishte përfunduar që në orën 10.30, ndërsa në disa të tjera që në orën 10.00 të paradites.
"Siç e shikoni edhe vetë, shkollat e mesme të Vlorës kanë mbyllur dyert. Me një urdhër të brendshëm të dalë nga Drejtoria Arsimore Rajonale e qytetit, nxënësit kanë pezulluar mësimin për të shkuar në takimin elektoral të zhvilluar nga Berisha.
Kryeministri i vendit po jep vërtet mesazhe drejt integrimit europian për shkollarët, duke u mësuar dy gjëra të rëndësishme: si ata të bojkotojnë mësimin dhe si të bëhen pjesë e fushatave politike, edhe kur nuk kanë mbushur ende moshën për të votuar", - tha dje Deda. Kryetari i PS-së theksoi se në takimin e sotëm në Vlorë, Kryeministri nuk ka marrë vetëm fëmijët e kopshtit, por nxënës të të gjitha niveleve.
G99
Edhe lëvizja G99 ka reaguar pas vizitës së Kryeministrit, duke dënuar mbylljen e shkollave. Përfaqësuesi i G99-ës, Genc Kojdheli, deklaroi se bllokimi i procesit mësimor është i turpshëm për një qeveri me të drejta të plota në NATO. "Është e turpshme që një qeveri, e cila është me të drejta të plota në NATO dhe aspiron për në Bashkimin Evropian, përdor të tilla praktika fashiste për të mbushur sallat elektorale.
Ndaj, ne i kërkojmë qeverisë që të tilla praktika të ndalohen dhe të mos përsëriten në të ardhmen",- tha Kojdheli. Këtë fakt e ka denoncuar dje edhe LSI-ja e Vlorës, përmes zëdhënëses Entela Rushiti. "Sot, në vend që të jepej një shembull se si gjimnazistët duhet të frekuentonin shkollat, ai i mbylli tempujt e dijes, që t'u fliste të rinjve për ato që nuk i ka realizuar sot për sot",- tha ajo.
LSI-ja akuzoi Kryeministrin Berisha se, "nuk ka asnjë arsye për të shkuar në Vlorë për shkak se gjatë këtyre 4 viteve, qeveria e tij ka trefishuar papunësinë në këtë qytet".