E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha takime në Vlorë

Vlorë-Kryeministri Sali Berisha premtoi të hënën, gjatë një takimi me të rinj në qytetin e Vlorës, se "liberalizimi i vizave do të jetë objektivi kryesor për t'u arritur që në fillim të mandatit të dytë qeverisës". Sipas zyrës së shtypit pranë Kryeministrisë, Kreu i Qeverisë vizitoi sot qytetin e Vlorës, ku zhvilloi një takim me të rinj e të reja, nxënës dhe studentë. "Ne do të punojmë së bashku për mandatin tonë të dytë, për mandatin e horizonteve të reja, e ëndrrave të shndërruara në realitet, mandatin e lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë" tha Kryeministri Berisha.

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha tha se "ky takim zhvillohej pas dy ngjarjeve shumë të rëndësishme për Vlorën dhe mbarë Shqipërinë, siç është anëtarësimi me të drejta të plota në NATO dhe paraqitja e kërkesës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

"Vlora dhe Shqipëria kishin shekuj që prisnin këto dy data të cilat janë sot realitet", u shpreh Kryeministri. Duke theksuar se Vlora çdo ditë e më shumë bëhet metropol evropian i Shqipërisë, Kryeministri tha se "ky qytet është tashmë në rrugën e pakthyeshme drejt zhvillimit dhe modernizimit, për një jetë më të mirë për qytetarët e saj".

“Vlora është sot epiqendër turistike kryesore e vendit dhe një nga qendrat universitare më të fuqishme. Në këtë qytet do të ndërtohet parku industrial. Vlora ka sot burimin e vet energjetik, por do të ketë edhe njërin prej porteve me të mëdha të Mesdheut", tha Kryeministri Berisha, duke shtuar se "në këtë port do të punësohen jo më pak se 50 mijë qytetarë".

Kryeministri premtoi para të rinjve se "Vlora do të ketë aeroportin e saj, ndaj dhe ju do të ndiheni si qytetarë të metropolit të vërtetë evropian". Në mandatin e dytë qeverisës, Kryeministri siguroi se "Vlora do të shndërrohet në metropol evropian". "Ky do të jetë mandati i shkollimit më të mirë të të rinjve shqiptarë, mandati i një Shqipërie tjetër, i një Shqipërie evropiane", tha Kryeministri.

Duke u ndalur te arritjet e kësaj qeverie gjatë mandatit të parë qeverisës, Kryeministri theksoi se "në katër vite është trefishuar numri i studentëve nga 52 mijë në 150 mijë". Kryeministri premtoi se "në katër vitet që vijnë ky numër do të arrijë në 160 mijë studentë".

"Diplomat tuja janë vektorë të zhvillimit të Shqipërisë. Ne do të bëjmë çdo gjë që ju të shkolloheni në kushtet më të mira. Sot ne kemi dyfishuar buxhetin për arsimin dhe unë ju garantoj se do ta trefishojmë atë, në katër vitet që vijnë", tha Kryeministri Berisha

Shqipëria është sot kantier ndërtimi, tha Kryeministri Berisha, duke shtuar se "në këto vite janë firmosur me dhjetëra kontrata të cilat punësojnë dhjetëra e mijëra qytetarë".

"Ne kishim ëndërr që kombi të qëndronte si një. Hapja e tunelit të Kalimashit, është tuneli që bashkon shqiptarët. Është tuneli që sjell Prishtinën në Vlorë, në Tiranë, në Durrës, që sjell Kosovën në brigjet tona", tha në përfundim Kryeministri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›