Hyn në fuqi ulja e kontributeve shoqërore
Përfitues nga ky vendim i qeverisë janë punëdhënësit, të cilët duke nisur nga një maji, do të paguajnë 5% më pak.
TIRANË- Me fillimin e këtij muaji, pritet që të gjithë punëdhënësit të paguajnë pesë për qind më pak kontribute shoqërore për punonjësit e tyre. Ndryshimet në ligjin për "kontributet shoqërore", të votuara në Kuvend në fillim të muajit shkurt, kanë hyrë në fuqi që më datë 1 maj.
Sipas ndryshimeve të fundit, punëdhënësit do të paguajnë 24.5 për qind të pagës bruto të punonjësve të tyre, si kontribute për sigurimet shoqërore, nga 29.5 për qind që ishte deri më tani.
Ulja e masës së detyrimeve të kontributeve shoqërore për punëdhënësit do të shënojë një kosto deri në 4 miliardë lekë, të cilat sipas zëvendësministrit të Financave, Florion Mima, pritet që të kompensohen nga rritja e interesit të punëdhënësve dhe punëmarrësve, për t'u përfshirë më gjerë në skemën e sigurimeve shoqërore.
Një efekt tjetër i ndryshimeve që u bënë në fillim të shkurtit, sipas Mimës, do të jetë edhe krijimi i mundësisë për rritjen e numrit të të punësuarve dhe të kontributpaguesve në sistemin e sigurimeve shoqërore dhe ulja e informalitetit në tregun e punës.
Gjatë debatit mbi këto ndryshime në ligj, përfaqësues të opozitës në Kuvend i kundërshtuan ato me argumentin se, ulja e sasisë së kontributeve shoqërore mund të ndikojë në uljen e shumës së pensionit që do të përfitojë një punonjës, pasi në të pesë degët e sigurimeve, vlera e kontributit që shkon për pensionin, ka pësuar uljen më të madhe, me plot 2.3 pikë përqindje nga totali i sigurimeve.
Një argument tjetër që për socialistët e bën "nul" hapin e marrë nga qeveria, është edhe funksiononim i ligjit mbi pagat referuese, i cili sipas tyre i detyron bizneset që të paguajnë taksa për pagat e punonjësve të tyre, jo aq sa ata realisht paguhen, por sa e ka vendosur qeveria.
Të vetëpunësuarit
Ligji i ri, i cili ka hyrë në fuqi që më datë 1 maj, parashikon pagimin e më pak kontributeve shoqërore edhe për personat e vetëpunësuar. Në bazë të tij, kjo kategori do të paguajë 3.2 për qind më pak sigurime se sa paguante më parë. Kështu, të vetëpunësuarit nuk do të paguajnë më 26.2 për qind të pagës bruto minimale sigurime, por 23 për qind të saj.
Ndryshe nga degët e tjera të sigurimeve, norma e sigurimit shëndetësor për këtë kategori nuk ka pësuar ndryshime, duke mbetur në nivelin prej shtatë për qind të pagës bruto. Ndërsa për të punësuarit, kjo masë mbetet në 3.4%, ku, si punëdhënësi ashtu edhe punëmarrësi, paguajnë nga 1.7 për qind.