E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha, takime intensive në Gjermani

Kryeministri Sali Berisha do të realizojë takime të rëndësishme me drejtuesit kryesorë të shtetit gjerman përgjatë dy ditëve të vizitës së tij në Berlin. Berisha u nis dje me ftesë të Kancelares gjermane, Anxhela Merkel, për një vizitë dyditore në Republikën Federale Gjermane, i shoqëruar nga një delegacion, pjesë e të cilit janë ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, ministri i Financave, Ridvan Bode dhe anëtarë të kabinetit të Kryeministrit. Kryeministri Berisha do të pritet me një ceremoni nga Kancelarja Merkel. Gjatë bisedimeve me Kancelaren Merkel, temë kryesore do të jenë marrëdhëniet bilaterale në të gjitha fushat, integrimi i Shqipërisë në NATO dhe BE, si dhe çështjet e rajonit. Gjatë vizitës së tij në Gjermani, Kryeministri Berisha do të ketë takime edhe me ministrin e Jashtëm Federalm Frank Walter Steinmeier dhe me ministra të tjerë të kabinetit. Kryeministri do të kryejë gjithashtu dhe një sërë takimesh me përfaqësues të biznesit gjerman. Një takim i veçantë do të jetë ai me fondacionin “Konrad Adenauer”, me përfaqësuesit e të cilit do të diskutohet bashkëpunimi mes këtij fondacioni dhe Shqipërisë. Kryeministri Berisha do të vizitojë edhe Esenin e do të zhvillojë një takim me përfaqësuesit e sipërmarrësve të mëdhenj në këtë qytet.

PS, nismë ligjore në Kuvend për arsimin

Partia Socialiste dorëzoi dje në Kuvend një nismë ligjore për heqjen e TVSH-së për arsimin. Kryetarja e Komisionit të Medias, Valentina Leskaj, tha se grupi parlamentar i Partisë Socialiste ka iniciuar vazhdimisht nisma që mbështesin dhe nxisin arsimin. “Edhe këtë herë, siç bën zakonisht me propozimet e opozitës, mazhoranca refuzoi të marrë në konsideratë propozimin tonë duke u mohuar të drejtën për të përfituar nga heqja e TVSH-së për arsimin si për atë publik edhe për atë jo publik”, - tha Leskaj, duke cilësuar se ky është një qëndrim obskurantist ndaj arsimit, një veprim që dëshmon se e gjithë zhurma që bëhet për arsimin si prioritet nga kjo qeveri, është false, pasi arsimi mbështetet me politika favorizuese, jo me masa shtrënguese. “Kjo politikë shtrënguese penalizon të gjithë ata fëmijë dhe prindër që kërkojnë arsimim sa më cilësor, qoftë ky publik apo privat. Ne e mbështesim sektorin privat, krahas atij publik, sepse është e drejta e shtetasve, që, jo vetëm të synojnë një cilësi më të mirë, po edhe për shkak se prindërit që punojnë nuk mund t’i lënë fëmijët rrugëve për shkak të orareve të ndryshme që kanë mundësi, që nuk ua ofron dot shkolla publike”, - deklaroi Leskaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›