E Diel, 1 Nëntor 2026

Kreu i Parlamentit gjerman, letër Topallit: Për dy javë ratifikojmë “NATO-n”

Duket se ratifikimi i Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO ka marrë rrugë të mbarë. Pas miratimit të tij nga Senati amerikan dhe nga disa vende të tjera evropiane, duket se do të marrë dhe firmën e shpejtë të Parlamentit gjerman, një tjetër vend me peshë në këtë Aleancë. Sigurinë për këtë firmë e ka dhënë Presidenti i Bundesrat-it (Parlamentit) të Republikës Federale të Gjermanisë, Ole von Beust në një letër dërguar kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli. Në këtë letër që mbërriti dje në zyrën e kreyparlamentares shqiptare, homologu i saj gjerman konfirmon se brenda dy javësh Bundesrat-i dhe Bundestag-u gjerman do të nisin procedurën e ratifikimit të Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Meqenëse Parlamenti i këtij vendi përbëhet nga dy dhoma, duhet pak kohë për diskutimin dhe miratimin e kësaj marrëveshjeje që pritet ta çojë Shqipërinë në Aleancë në pranverën e vitit që vjen. “Përmbyllja me sukses e negociatave të pranimit simbolizon përpjekjet dhe arritjet e mëdha që vendi juaj ka bërë vitet e fundit. Ne mirëpresim së afërmi vendin tuaj si një vend të ri anëtar të Aleancës”, - shkruan në letrën e tij Presidenti Ole von Beust. Më tej, zoti Ole von Beust falënderon kryetaren e Kuvendit për letrën që ajo, së bashku me kryetarin e Parlamentit të Kroacisë Luka Bebiç, i kanë dërguar Parlamentit gjerman për ratifikimin e Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO.

Siç bën të ditur zyra e shtypit pranë kryetares së Kuvendit, në zyrën e saj kanë mbërritur letra konfirmimi për një ratifikim në një kohë të shkurtër nga Senati i Francës, Parlamenti i Spanjës, Holandës, Bullgarisë, Polonisë, Danimarkës, Rumanisë etj. Ndërsa një ditë më parë, kryetari i Senatit të Çekisë, zoti Sobotka, gjatë vizitës së tij në Tiranë, në takimin me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, deklaroi se Senati çek do ta ratifikojë këtë Protokoll brenda muajit tetor. Deri më tani e kanë ratifikuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Hungaria, Letonia dhe Lituania.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›