Portugalia njeh Kosovën shtet
Qeveria e Portugalisë ka njohur zyrtarisht shtetin e ri të Kosovës. Vendimin e qeverisë së Lisbonës e ka publikuar në Parlament ministri i Jashtëm portugez, Luis Amado. “Është në interesin e shtetit portugez të procedojë me njohjen zyrtare të pavarësisë së Kosovës. Ne jemi të bindur se pavarësia e Kosovës tashmë është e pakthyeshme”, - ka deklaruar Amado para Komitetit për Marrëdhëniet me Jashtë në Parlamentin e Portugalisë. Pas vendimit të djeshëm, Portugalia është vendi i 22-të i BE-së që ka njohur shtetin e ri. Vendimi i Portugalisë është i rëndësishëm, duke pasur parasysh se ky vend është fqinj me Spanjën, një nga vendet e pakta të Bashkimit Evropian që po heziton të njohë Kosovën. Tashmë dhe 5 vende të BE-së mbeten për të marrë një vendim të tillë, ndërkohë që Kosovën e kanë njohur dhe shumë shtete të tjera jashtë BE-së, ndër ta dhe Kroacia fqinje. Çdo ditë e më shumë shteti më i ri në Ballkan po merr mbështetje dhe njohjen ndërkombëtare, duke shuar kështu çdo mundësi të Serbisë dhe aleatëve të saj që të mundësojnë bllokimin e këtij procesi. Diplomacia shqiptare dhe ajo kosovare janë duke punuar që procesi i njohjes të jetë sa më i suksesshëm.