E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtesa e pensionit për ushtarakët, policët e minatorët



Në datën 1 maj hyri në fuqi vendimi i qeverisë për rritjen e pensioneve të kategorive të veçanta. Kështu, duke nisur nga data 1 maj, pensioni i parë që do të merret nga këto kategori, do të jetë së bashku me shtesën përkatëse. Fondi për këtë rritje page është 93 milionë lekë të reja, e barabartë me 10 milionë dollarë. Sipas vendimit, përfitojnë rritje pensioni ish-ushtarakët, ish-minatorët, si dhe ish-policët.

Përfituesit

Përfituesit e këtij vendimi janë të gjithë ish-punonjësit që trajtohen me pensione shtesë nga shteti. Kështu, sipas vendimit, përfitojnë një rritje prej 4 për qind të pensionit të tyre të gjitha familjet e ish-ushtarakëve, policëve, pilotëve dhe zyrtarë të tjerë të rënë në detyrë. Sipas vendimit, një rritje prej gati 4 për qind do të ketë pothuaj çdo pension shtesë. Këtë rritje pensioni do ta përfitojnë të gjithë ish-zyrtarët e shtetit, si ish-ushtarakë, policë etj., të cilët përfitojnë pensione të veçanta invaliditeti për shkak të detyrës.

Më konkretisht, përfitojnë shtesë me 4 për qind pensionet e parakohshme për vjetërsi shërbimi, pensionet suplementare të pleqërisë, pensionet suplementare të invaliditetit, pensionet suplementare të invaliditetit të ushtarakëve që për shkak të detyrës janë bërë të paaftë për shërbim, pensionet suplementare familjare, pensionet suplementare familjare të ushtarakëve që kanë humbur jetën për shkak të detyrës, pensionet suplementare familjare të punonjësve të SHISH-it të rënë në detyrë, pensionet suplementare familjare të pilotëve të rënë në detyrë, pensionet suplementare të invaliditetit të punonjësve te policisë, pensionet suplementare familjare të policëve të rënë në detyrë, trajtimeve të veçanta financiare të pilotëve fluturues, në pension, trajtimeve të veçanta financiare të efektivave, oficerëve dhe nënoficerëve të nëndetëseve dhe polumbarët, trajtimeve të veçanta financiare të punonjësve ushtarakë të disa ndërmarrjeve. Në mbledhjen e qeverisë, Kryeministri Sali Berisha tha se rritja e pagave dhe pensioneve do të fillojë në datën 1 maj. “Nga data 1 maj e tej të nisë rritja e pagave dhe pensioneve, në përputhje me premtimet e dhëna nga qeveria shqiptare dhe mazhoranca aktuale në pranverën e vitit 2005. Për mua dhe të gjithë ne së bashku, është një nga arritjet më të mëdha të karrierës sonë politike, pasi ne ia dolëm në përputhje me premtimet dhe programin të vendosim sot për dyfishimin e pagave të 44 mijë punonjësve të arsimit, krahasuar kjo me 4 vite më parë”, - deklaroi Kryeministri.

Ish-minatorët

Vendimi prek edhe ish-minatorët, të cilët trajtohen nga shteti me një trajtim të veçantë financiar. Duke filluar nga 1 maj, pensioni i tyre do të rritet me 10 për qind. Me anë të kësaj shtese, ish-minatorëve u shkon pensioni afërisht në masën 150 mijë lekë të vjetra.

Tabela

Rritje me 10%

Ish-minatorëve të dalë në pension me trajtime të veçanta financiare

Rritje me 4%

Pensionet e parakohshme për vjetërsi shërbimi

Pensionet suplementare të pleqërisë

Pensionet suplementare të invaliditetit

Pensionet suplementare të invaliditetit të ushtarakëve që për shkak të detyrë janë bërë të pa aftë për shërbim

Pensionet suplementare familjare

Pensionet suplementare familjare të ushtarakëve që kanë humbur jetë për shkak të detyrës

Pensionet suplementare familjare të punonjësve të SHISH-it të rënë në detyre

Pensionet suplementare familjare të pilotëve të rënë në detyrë

Pensionet suplementare të invaliditetit të punonjësve te policisë

Pensionet suplementare familjare të policëve të rënë në detyrë

Trajtimeve të veçanta financiare të pilotëve fluturues, në pension

Trajtimeve të veçanta financiare të efektivave, oficerëve dhe nënoficerëve të nëndetëseve dhe polumbarët

Trajtimeve të veçanta financiare të punonjësve ushtarakë të disa ndërmarrjeve

Rritja e pensionit nuk prek kompensimin për rritjen e çmimeve

Rritja e pensionit që filloi nga data 1 maj, nuk do të zbritet në momentin e kompensimit për rritjen e çmimeve. Pensionistë përfitojnë një masë prej 760 lekësh në qytet dhe 690 në fshat për rritjen e çmimeve. Ky kompensim do të vazhdojë të jepet, pavarësisht rritjes së pensioneve. Akti i qeverisë ka përcaktuar edhe kategoritë që mund të përfitojnë kompensim financiar. Pensionistët që përfitojnë pensione qyteti pleqërie, invaliditeti dhe familjar, edhe mbas rritjes nuk preken të gjitha kompensimet e të ardhurave mujore të përfituara nga vendimet e veçanta të Këshillit të Ministrave. Sipas udhëzimit, kompensimi do të jetë i përcaktuar dhe i paprekur, edhe pse pensioni mund të jetë rritur kohët e fundit. Njëkohësisht, po t’i referohemi pikës numër tetë të Vendimit të Këshillit të Ministrave, për të gjithë pensionistët e fshatit që përfitojnë pensione pleqërie, invaliditeti dhe familjare, nuk preken kompensimet e të ardhurave mujore të përfituara nga vendimi i qeverisë që përcakton të ardhura nga kompensimi. Njëkohësisht, nuk do të llogariten për efekt të të ardhurave mujore edhe kompensimi shtesë në masën 500 lekë në muaj për rimbursimin e energjisë elektrike. Në llogaritjen e të ardhurave mujore nuk do të llogariten as shtesat mbi pension, të parashikuara në ligj, si dhe shtesat e tjera që përfitohen nga ligje apo vendime të veçanta të qeverisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›