E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha takon Dobjanin: Vazhdo punën, do kesh mbështetjen time

 

Kryeministri Berisha mbështet Avokatin e Popullit, Ermir Dobjani, pas konfliktit të fundit mes këtij institucioni dhe Policisë së Shtetit për hetimin e një ngjarje në Shkodër. Kreu i qeverisë ka pritur dje në zyrën e tij Avokatin e Popullit, të cilit i ka kërkuar të mbajë qëndrimet ligjore ndaj të gjithë atyre që dhunojnë ligjin. Sipas një njoftimi për shtyp të Këshillit të Ministrave, kreu i qeverisë ka vlerësuar veprimtarinë e Avokatit të Popullit dhe institucionit të tij në garantimin dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të qytetarëve. “Kryeministri e siguroi zotin Dobjani për mbështetjen e plotë të tij dhe të qeverisë që ai drejton në këtë aspekt. Kryeministri Berisha kërkoi që Avokati i Popullit të mbajë të gjitha qëndrimet ligjore ndaj çdokujt që dhunon apo nuk mbron të drejtat e liritë e qytetarëve dhe të përdorë të gjitha mekanizmat ligjorë në mbrojtje të qytetarëve, të cilëve u cenohen të drejtat nga segmentet e administratës”, thuhet në njoftimin për shtyp. Nga ana e tij, Dobjani pasi ka informuar kreun e shtetit për problemin e fundit me policinë, e ka njohur atë me të gjitha përpjekjet e tij dhe të institucionit që përfaqëson në zbatim të Kushtetutës dhe ligjit për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të qytetarëve. Dobjani shprehu vlerësimin e tij për bashkëpunimin mes institucionit të Avokatit të Popullit dhe Policisë së Shtetit, por u ndal edhe në disa probleme që janë shfaqur këto javët e fundit në këtë bashkëpunim, probleme të cilat janë krejtësisht të shmangshme”, thuhet në njoftimin për shtyp. Institucioni i Avokatit të Popullit dhe ai i Policisë së Shtetit u përfshinë në një debat publik disa ditë më parë, kur disa inspektorë të Avokatit të Popullit zhvilluan një hetim pas një ankese të marrë nga një 20-vjeçar në Shkodër, se ishte keqtrajtuar gjatë marrjes në pyetje. Pas këtij veprimi të inspektorëve, policia e Shkodrës bëri kallëzim penal ndaj Avokatit të Popullit, duke e akuzuar atë për prishjen e hetimit për zbardhjen e një ngjarje të ndodhur në vitin 1997.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›