Mustafaj: Reagimet e PS dhe PD ndaj Topit, joserioze
Në një intervistë për gazetën “Panorama”, deputeti i PD, Besnik Mustafaj tha se presidenti ka vlerësuar në thelb përmbajtjen e Kodit, por e ktheu atë që të mos vështirësohej më pas dekretimi i datës së zgjedhjeve.
Zoti Mustafaj, si e argumentoni kthimin e Kodit nga ana e Presidentit?
Siç e shpjegon fare mirë Presidenti arsyen ka qenë brenda detyrimit të tij kushtetues ta kthente në Parlament, sepse çështja është vërtet teknike. Presidenti ka lavdëruar dhe ka përshëndetur frymën e Kodit, çfarë është thelbësore, nuk prek përmbajtjen e Kodit. Presidenti ka kryer detyrimin e tij në mënyrë që të korrigjohet ai aspekt teknik që do t’ia vështirësonte Presidentit dekretimin e datës së zgjedhjeve. Mendoj se Partia Demokratike dhe Partia Socialiste u treguan shumë të ngurta dhe jo konstruktive në komentet që i bënë këtij veprimi kushtetues të Presidentit. Nuk është serioze për politikën shqiptare, sidomos për politikën e dy partive të mëdha, të PD-së që drejton qeverinë dhe PS-së që është përfaqësuesja më e madhe e opozitës, të krijojnë tensione aty ku nuk ka arsye parimore. Pra, të mos bëhet politikë në bosh, por të ndihmohet funksionimi i të gjitha institucioneve brenda kuadrit kushtetues.
E shikoni këtë lapsus si një arsye për të shtyrë zgjedhjet, apo një pavëmendësi të hartuesve të Kodit?
Unë mendoj se zgjedhjet në shtator, sipas Kushtetutës, nuk kanë asnjë hapësirë për t’u zhvilluar, ato do të zhvillohen në qershor. Mendoj se ka qenë një pakujdesi kalendarike e hartuesve të Kodit, ose një mosrespektim i ritmeve të parashikuara për miratimin e Kodit, duke mos i lënë kohë Presidentit të kryejë detyrimet e tij brenda kalendarit të parashikuar nga Kushtetuta. Unë nuk mendoj se ka pasur prapamendime. Nuk jam nga ata që shohin konspiracion në veprime të tilla.
Ju thatë se PD e PS janë treguar të ngurta në reagimet e tyre për presidentin, por si i komentoni qëndrimet e PD-së, e cila e quajti veprimin e Topit si dashakeqës apo se kreu i shtetit u bashkua me pakicën?
Mendoj se kanë qenë shprehjet që nuk prodhojnë mirëkuptim dhe koherencë mes institucioneve, nuk shprehin thelbin e frymës me të cilën ne duam të bëjmë politikë si demokratë, apo edhe si përfaqësues të elektoratit shqiptar, që jemi në grupin parlamentar të Partisë Demokratike. Nuk janë këto shprehje ato që kërkojnë të bëjnë stil, ato që përfaqësojnë frymën me të cilën Partia Demokratike synon të ndërtojë një shtet koherent me institucionet e tiji.