Regjistrimi i pronave, afati shkurtohet nga 30 në 7 ditë
ADI SHKEMBI
Regjistrimi i pronave në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme do të shkurtohet nga 30 në 7 ditë. Task Forca për Reformën Rregullatore e mbledhur dje në Kryeministri, vendosi t’i propozojë Kuvendit ndryshimet ligjore në ligjin për regjistrimin e pasurive të paluajtshme. “Në këtë kuadër u vendos shkurtimi i afateve të regjistrimit të pronave nga 30 ditë në 7 ditë, si dhe thjeshtimi i procedurave të regjistrimit të pronave. Ndër të tjera u diskutua dhe u vendos përgjysmimi i dokumentacionit të kërkuar për procedurat e zhdoganimeve për importet dhe eksportet”, thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit të Këshillit të Ministrave. Burime pranë këtij takimi bënë të ditur dje për gazetën se një ndryshim tjetër në ligjin e regjistrimit të pronave do të jetë edhe ai i procedurave për pagimin e taksave. Kështu, sipas legjislacionit aktual, zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme shërbejnë edhe si agjentë fiskalë, pra llogarisin dhe mbledhin taksat e regjistrimit të pasurive. Ndërkohë sipas ndryshimeve që pritet t’i bëhen legjislacionit, procedura për pagimin e taksave të regjistrimit të pasurive do të jetë si të gjitha procedurat për pagimin e taksave të tjera. Ajo do të kalojë përmes bankave dhe nëpërmjet një fature qytetarët do të paraqiten në zyrat e regjistrimit të pasurive për të konfirmuar pagimin e taksave dhe njëkohësisht për regjistrimin e pasurive. Gjithashtu në mbledhjen e djeshme të Task Forcës u diskutua dhe klima ndaj biznesit. “U diskutua gjithashtu për procedurat e regjistrimit on-line të biznesit, si një tjetër hap për thjeshtimin e të bërit biznes në Shqipëri dhe luftën kundër korrupsionit”, thuhet në njoftimin e Këshillit të Ministrave. Burimet pranë takimit bënë të ditur për gazetën se vënia në jetë e kësaj reforme do të varet nga afati i akreditimit të firmës elektronike, e cila do të menaxhojë procesin. Gjithsesi burimet bënë të ditur se brenda muajit janar të vitit të ardhshëm pritet që kjo procedurë t’i vihet në dispozicion të gjitha bizneseve në vend. Bëhet e ditur se regjistrimi on-line do të ndikojë në shkurtimin e procedurave burokratike dhe shmangien e fenomenit të korrupsionit. Gjatë kësaj mbledhje u analizua puna e bërë për legalizimin e procedurave, duke theksuar domosdoshmërinë e lehtësimit të mëtejshëm të procedurave të panevojshme si dhe uljen e kostos për biznesin.