E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendimet, Ina Rama akuzon gjykatat

 

Trazhgim Sokolaj

Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama, akuzoi dje gjykatat se po mbajnë në burg jashtë afateve ligjore dhe procedurale personat ndaj të cilëve pushohen çështjet penale. Kryeprokurorja ishte e pranishme në tryezën e debatit për garantimin e të drejtave të njeriut organizuar me iniciativën e Avokatit të Popullit. Në mënyrë të veçantë në akuzat e saj të ashpra, prokurorja e Përgjithshme është fokusuar tek Gjykata e Tiranës, duke e akuzuar këtë institucion veç të tjerave edhe për mungesë serioziteti. “Mungesa e seriozitetit në punë nga kjo Gjykatë po lë në burg shumë të dënuar përtej afateve ligjore dhe procedurale”, tha kryeprokurorja Rama. Ajo tha se Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë, nuk njofton në kohë për pushimin e çështjeve, duke u bërë shkak që shumë të dënuar me burg të mbeten në qeli jashtë afateve të dhëna në vendimet përkatëse. Shefja e organit qendror të akuzës kërkoi, që vendimet e gjykatave për rastet e lirimeve apo të pushimeve të çështjeve penale të ekzekutohen brenda 24 orëve, me anë të njoftimit të Prokurorisë nga togat e zeza. Ajo tha se pikërisht me afatin kohor të njoftimit për vendimin e dhënë, gjykatat po bëhen shkak, që lirimi i personave të burgosur të ndodhë në raste të caktuara edhe disa ditë, pasi kjo gjë është shkruar në vendim. Në rastet e pushimit të dosjeve apo të akuzave nga gjykatat, togat e zeza duhet të lajmërojnë Prokurorinë, e cila përmes Sektorit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale kryen edhe lirimin e të burgosurve, për të cilët një gjë e tillë është vendosur nga gjykata.
Sherri me burgjet
Akuzat e ashpra të kryeprokurores në adresë të gjykatave dhe veçanërisht ndaj Shkallës së Parë në Tiranë, duket se indirekt kanë atakuar edhe burgjet. Ky duket se ishte shkaku i reagimit të menjëhershëm nga drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve Gazmend Dibra. Ai ishte i pranishëm në tryezën e djeshme dhe akuzave të kryeprokurores Ina Rama ka zgjedhur t’u përgjigjet me të njëjtën monedhë. Në diskutimin e tij, kreu i Burgjeve akuzoi Prokurorinë për zgjatje të hetimeve jashtë afateve të parashikuara në ligj. Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve tha, se një faktor ndikues në mbipopullimin e qelive është edhe shtyrja e afateve të hetimit nga Prokuroria, e cila bëhet shkak për mbajtjen në qeli të së akuzuarve për një kohë të gjatë dhe pa një vendim gjyqësor. Dibra në diskutimin e tij konfirmoi se burgjet shqiptare janë të mbipopulluara jashtë çdo kapaciteti të mundshëm.
Ndërhyrja e Alibeajt
Ministrit të Drejtësisë Enkelejd Alibeaj, i cili mori pjesë në tryezën e djeshme duket se nuk i ka mbetur gjë tjetër, veçse të përqendrohet në relaksimin e raporteve të acaruara Prokurori-gjykata-burgje. Gjatë fjalës së tij ministri Alibeaj kërkoi  forcimin e bashkëpunimit mes institucioneve shtetërore për identifikimin e problemeve dhe kapërcimin e tyre përmes zgjidhjeve ligjore. “Trajtimi i të dënuarve nuk është argument që  ndan institucionet në llogoret e tyre, por bashkim i të gjitha vullneteve të mira për të arrirë standardet e kërkuara”, tha Alibeaj. Duke e konsideruar sektorin e burgjeve si pjesë të rëndësishme të shtetit, ai tha se dënimi nuk duhet të jetë ndëshkim, por masë ndëshkuese dhe mjet për riintegrimin e personave të privuar nga liria.

Kritikat e Topit për vendimet gjyqësore
Ekzekutimi i vendimeve gjyqësore është bërë objekt i kritikave nga Presidenti Bamir Topi, gjatë një tryeze të thirrur prej tij me përfaqësues të organeve të drejtësisë disa kohë më parë. Kreu i Shtetit përmendi mbi 8 mijë vendime gjyqësore të pa ekzekutuara në afat, duke bërë apel që organet e drejtësisë të ndërmarrin veprime konkrete në këtë drejtim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›