Ulet ritmi i investimeve të huaja direkte
Kriza globale duket se ka nisur të japë efektet e saj të para edhe në ekonominë vendase. Ritmi i investimeve të huaja direkte ka nisur të ulet dhe kjo si rrjedhojë e krizës financiare ndërkombëtare. Në fakt, ekspertë të ekonomisë kishin paralajmëruar se efektet e krizës do të pasqyroheshin muajt e parë të 2009-ës në tkurrjen e investimeve të huaja direkte. Gjithashtu kriza është parashikuar të ndikojë edhe në uljen e dërgesave të emigrantëve. Por ndryshe nga parashikimet e bëra deri më tani, kriza financiare ndërkombëtare i ka dhënë efektet e saj që këtë vit. Sipas raportit më të fundit të Bankës së Shqipërisë, deri në fund të muajit shtator “investimet e huaja direkte neto vlerësohen në nivelin 380 milionë euro, rreth 2.6% më të larta se në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Investimet e huaja në vend prej rreth 354 milionë eurosh, mbeten faktori kryesor në rritjen e detyrimeve financiare”. Gjatë këtij harku kohor rënie kanë pësuar edhe dërgesat e emigrantëve, rënie kjo që ishte paralajmëruar nga ekonomistët. Sipas raportit të Bankës së Shqipërisë, bilanci i transfertave korente gjatë periudhës janar–shtator regjistroi një suficit prej rreth 670 milionë eurosh. “Peshën kryesore rreth 78% të të ardhurave në këtë kategori vazhdojnë ta zënë prurjet e emigrantëve shqiptarë me banim jashtë. Gjatë kësaj periudhe këto transferta kanë arritur në 623 milionë euro, duke mbuluar rreth 37% të deficitit të tregtisë së mallrave. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2007, këto transferta vlerësohen 13% më të ulëta”, thuhet në raport. Sipas BSH-së, gjatë kësaj periudhe është vërejtur një zhvendosje e këtyre flukseve valutore nga ato për përdorim korent, në forma të ndryshme investimesh.