E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha takon “Elba Folk”

Më në fund kryeministri shqiptar Sali Bersiha, gjeti kohë për të përgëzuar artistët e ansamblit popullor “Elba Folk” të Elbasanit me president, etnologun Thanas Meksi. 

Pas marrjes së çmimit “Çelësi i Artë” në Rusi, në festivalin botëror të Folkut, Berisha është takuar me grupin në ambientet e ambasadës ruse në Tiranë, ku ansambli elbasanas ishte ftuar të merrte pjesë në festën e Federatës Ruse.  Kryeministri ka përgëzuar presidentin e grupit dhe gjithë anëtarët e “Elba Folk” për kontributin e tyre që japin për folkun shqiptar. Të ftuarit në këtë festë ishin të shumtë, por surpriza e saj ishte interpretimi i çiftit të njohur Nina dhe Avni Mula, së bashku me grupin elbasanas. Të entuziazmuar nga muzika dhe tingujt e orkestrës së Elbasanit, çifti Mula u afruan dhe më në fund kënduan së bashku disa këngë shqiptare dhe ruse me artistët e «Elba Folk». Me ta u bashkua më pas dhe deputeti Neritan Ceka si dhe përkthyesi Sokrat Gjerazi. Në pritjen e dhënë nga ambasada ruse, instrumentistët nga Elbasani interpretuan shumë këngë popullore shqiptare dhe ruse, me nivel të lartë dhe muzikalitet, të cilët lanë përshtypje të mira tek të ftuarit, për interpretimin e këngëve ruse. Por ndërkohë, ajo që i çudit më shumë pjesëtarët e «Elba Folk» është qëndrimi indiferent i Ministrisë së Kulturës, për promovimin që kjo shoqatë i bën folkut shqiptar në Evropë. Duhet theksuar se pjesëmarrja e tyre në festivalin botëror të Folkut në Moskë, realizuar disa muaj më parë, në të cilin “Elba Folk” u vlerësua me “Çelësin e Artë”, rikthente Shqipërinë në këtë vend pas 50 vitesh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›