E Shtunë, 31 Tetor 2026

Besa Myftiu: Në Shqipëri e pamundura ishte normë

Eshtë larguar nga Shqipëria gati 16 vite më parë, duke mos menduar se mund të jetonte larg saj, por sot pas kaq kohësh një vend pune akoma më pasionant, sesa ai që ka në Universitetin e Gjenevës do të ishte e vetmja arsye, që mund ta rikthente në këtë vend. 

ANILA MEMA

Është Besa Myftiu, shkrimtarja dhe dramaturgia, e cila prej vitesh jeton në Zvicër, në Gjenevë, ku edhe jep mësim në degën psikologji-pedagogji në universitet. Ka në duar tetë vepra të botuara që prej 1994, e ndërkohë është në kërkim të një subjekti romani, por kësaj here larg Shqipërisë. Ndërkohë me kinematografinë qëndron larg, edhe pse rreth tre vite më parë e riktheu në Shqipëri filmi “Yllka”, i shkruar dhe realizuar nga vetë ajo. Bën një jetë të qetë, mes miqsh artistë e bohemë dhe me të bijën, po artiste kanë ndërtuar një marrëdhënie për t’u pasur zili. Detajet, Myftiu na i rrëfen nga Zvicra në këtë intervistë për gazetën tonë. 
Si e latë Shqipërinë vite më parë dhe si e kujtoni sot?
Shqipërinë e lashë rastësisht, duke menduar se nuk mund të jetoja dot larg saj. Kjo ishte dhe arsyeja që zgjodha për studim në Universitetin e Gjenevës degën që përgatiste mësues frëngjishteje për të huajt, në mënyrë që të kthehesha. Por pas mbarimit të studimeve më propozuan një vend pune të shkëlqyeshëm si asistente-pedagoge e një psikanalisteje, Mireille Cifali. Qëndrova. Pak nga pak isha mësuar me Zvicrën. Për më tepër, asnjë nga miqtë e mi të dikurshëm nuk më priste në atdhe, kishin ikur të gjithë nëpër botë. Shqipëria vetë kishte ndryshuar kaq shumë, sa që ndjehesha më e huaj sesa jashtë shtetit. Këtë gjendje shpirtërore e kam përshkruar në poezinë e mëposhtme, botuar në vëllimin dy-gjuhësh “Miq të humbur”. Ndoshta do të kthehemi një ditë/Me ca para në xhep dhe faqe të rrudhosura/Atje ku lamë të gjitha dashuritë/S’do gjejmë veçse kujtime të varrosura. Gjithçka do jetë ndryshe dhe ne krejt të ndryshuar/Dhe pse në shqip do flasim, si gjithmonë/Ne do të jemi përsëri të huaj/Por kësaj here në atdheun tonë. Shqipërinë e kujtoj sot me nostalgji. Por Shqipëria e dikurshme nuk ekziston më as për shqiptarët që jetojnë brenda vendit.
Ç’ju shtyu të udhëtonit drejt Zvicrës?
Kurioziteti. Kurse mundësia mu krijua nga ftesa e një miku kosovar.
Dhe ku u ndalët?
Në Lucern.
E gjetët si e imagjinonit atë vend?
Aspak. Për mua Evropa ishte një vend çudish dhe bukurish të papara. U zhgënjeva kur zbulova Zvicrën: pemë paska, si tek ne, thashë me vete, liqen si tek ne, shtëpi si tek ne...
Po sot pas kaq vitesh si është jeta juaj aty?
Mendoj se kam gjetur qytetin që më përshtatet: Gjenevën. Kam një punë që e adhuroj dhe miq jashtë shoqërisë së konsumit, artistë dhe bohemë.
Vazhdoni të jeni pedagoge në universitet?
Po, në degën psikologji-pedagogji. Mbrojta doktoratën me temën: “Kontributi i Niçes dhe i Dostojevskit në fushën e edukimit”.
Ç’gjeni në Zvicër që nuk e gjeni në Shqipëri?
Paqen shpirtërore dhe një nivel jetese të domosdoshëm për një grua intelektuale, që duhet t’ia kushtojë energjinë e saj shkrimit të librave dhe përgatitjes së leksioneve për studentët.
Dhe pse Shqipërinë nuk do ta ndërronit me asnjë shtet tjetër?
Sepse për mua Shqipëria përfaqëson një dashuri pa kushte. Një enigmë. Djepin e frymëzimit tim, burimin e guximit dhe të gjithçkaje sublime: Në Shqipëri e pamundura ishte normë.
Jeni atdhetare?
E ndjej veten qytetare të botës.
Sa e fortë duhet të jetë arsyeja për t’u rikthyer sërish?
Një vend pune akoma më pasionant sesa ai që kam në Universitetin e Gjenevës!
Kur ka qenë “poza” juaj e parë dhe më e bukura?
Kur isha fëmijë, luanim në oborrin e shtëpisë sime “Kush çel poza më të bukura”. Bëhej fjalë për poza artificiale dhe të stisura. Unë fitoja shpesh, por nuk kam një kujtim të saktë mbi pozën e parë dhe më të bukur.
Po shkrimin e parë e kujtoni, cili ishte?
Shkrimin e parë po, besoj se është më i rëndësishëm sesa poza e parë. Ishte një vjershë e shkruar në klasë: Gëzuar jubileun O shoku ynë ushtar/Ti që mbron atdheun/Në malet legjendarë.
Për çfarë mund të shkruante një tetëvjeçare?
Më kujtohet se në këtë moshë pyeta babin një ditë: “O babi, po italianët që nuk kanë parti dhe xhaxhi Enver, kujt ia kushtojnë këngët dhe vjershat”? Dhe im atë mu përgjigj: “Dashurisë”. Unë mbeta e çuditur. Në moshën tetëvjeçare shkruaja mbi temat që na kërkonte mësuesja: ushtari, atdheu, partia...
Vazhdoni ta lexoni Shekspirin apo tashmë veprat e tij i keni mësuar përmendësh?
Jo, nuk i di akoma përmendësh, por ama në Universitetin e Gjenevës isha e vetmja që e kuptoja në gjuhën origjinale, duke përfshirë edhe anglezët. E lexoj herë pas here, Shekspirin si dhe autorë të tjerë, sa herë që më duhet të përgatis leksionet për kursin që jap në universitet me titull: “Kontributi i shkrimtarëve dhe i filozofëve në edukimin e njeriut”.
Si e konsideroni veten një shqiptare të lindur në Shqipëri e që jeton në Zvicër, apo një shqiptare që nuk gjen veten në mentalitetin shqiptar?
Për fat të keq, e konsideroj veten si shqiptare që nuk e gjen veten në mentalitetin shqiptar, por kjo nuk është diçka e jashtëzakonshme nëse ke lindur femër.
Para dy vjetësh për rikthimin tuaj u bë shtysë filmi “Yllka”. Kritika e priti mirë. Por ju si e shihni sot atë film. Është ai që kishit menduar në kokë e pastaj hodhët në letër?
E shoh si film interesant dhe të veçantë në kinematografinë shqiptare, por aspak si filmi që kisha në kokë.
“Yllka” ku ju edhe luani ka edhe nota biografike. Por si do të shkruhej biografia juaj, nëse një ditë do ndërmerrnit një iniciativë të tillë?
Biografia ime nuk më intereson. I kam shfrytëzuar elementet nga jeta ime, sepse ishin të çuditshme dhe prezantonin një material letrar, po aq sa kam shfrytëzuar edhe detajet nga jeta e shoqeve te mia.
Kinematografia dhe letërsia. Kur u bashkuan tek ju këto dy degë dhe cilës sot i mëshoni më fort?
Kur isha 18 vjeçe, u futa në shkollën e aktorëve dhe nuk e mbarova kurrë, më mbetën në klasë. Paskëtaj vazhdova studimet për letërsi dhe që atëherë nuk jam ndarë më prej saj. Kurse kinematografia ishte një stinë e veçantë në jetën time, që nuk besoj të përsëritet më.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›