E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tadiç, ndryshime politike për Kosovën, jashtë Rusia

Presidenti serb, Boris Tadiç ka sinjalizuar një ndryshim të politikës së qeverisë së re serbe, karshi çështjes së Kosovës, e cila shpalli pavarësinë më 17 shkurt. 

Sipas agjencisë së lajmeve AKI, Tadiç, i cili rikonfirmoi gjatë kësaj jave fuqitë e tij, madje edhe gati të drejtën e vetos, duke u bërë pjesë e fuqishme e koalicionit qeveritar pro evropian bashkë me socialistët, pranoi se situata në Kosovë ka ndryshuar që nga shpallja e pavarësisë. Në një intervistë për gazetën e përditshme serbe, “Vecernje novosti”, Tadiç tha se Serbia do të duhej “të gjente përgjigje të reja në rrethana të reja”. Sipas analistëve, kjo ishte një shmangie e vendosur ndaj politikës së ish-kryeministrit Vojisllav Koshtunica, i cili ra nga pushteti në zgjedhjet e majit, ku fuqia kaloi pothuajse plotësisht në duart e liderit pro evropian. Koshtunica insistonte se Serbia duhet të anulonte planet e saj për t’iu bashkëngjitur Bashkimit Evropian, pasi pjesa më e madhe e vendeve të unionit e kishte njohur pavarësinë e Kosovës dhe Brukseli kishte dhënë OK për të dërguar misionin e tij EULEX në Kosovë, me gjithë kundërshtimin e ashpër të Serbisë në këtë pikë. Edhe Rusia, e cila mbështet Beogradin si aleate e përhershme e Serbisë, e kundërshton vendosjen e EULEX-it. Por presidenti Tadiç tha se, sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun tani kishte “një maxhoritet të qartë në mbështetjen për rikonfigurimin e UNMIK-ut dhe ne duhet të diskutojmë me komunitetin ndërkombëtar”. Sipas analistit, Slavko Zivanov, kjo deklaratë ishte një sinjal i qartë se Serbia nuk mund të mbështetej më mbi veton ruse dhe “një mesazh indirekt për Moskën që të shikojë punën e saj”. Tadiç theksoi se, pozicioni i tij i mëparshëm për t’u integruar në BE mbetej prioriteti i tij bazë pavarësisht zhvillimeve në Kosovë. “Tadiç tashmë po kërkon një strategji dalëse nga situata aktuale, tashmë që i ka të gjitha fuqitë në dorë”, tha Zivanov në “Adnkronos International” (AKI). Zivanov theksoi se pavarësia e Kosovës dhe vendosja e EULEX kishin mbështetje të gjerë në Këshillin e Sigurimit, dhe pengesa e vetme ishte vetoja ruse. “Asgjë nuk ka ndryshuar në OKB por duket se Tadiç nuk e do më ndihmën e Rusisë”, tha ai.
Plani i fshehtë
Sipas gazetës prishtinase “Zëri”, Beogradi e di që pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe po mundohet të shkëpusë pjesë të territorit të saj. Në gazetë shkruhet se presidenti serb, Boris Tadiç, synon që pas 3 deri në 5 vjet, të shkëpusë një pjesë të banuar me shumicë serbe nga Kosova dhe t’ia bashkëngjisë Serbisë. Një skenar i tillë me sa duket nuk përkrahet nga ndërkombëtarët dhe, në rrethanat e tanishme, imponimi i një zgjidhjeje të tillë mund ta destabilizonte Kosovën dhe mbarë Ballkanin. Në Beograd mbizotëron bindja, që modeli eventual i ndarjes territoriale të Kosovës kërkon një kohë prej 3-5 vjetësh, gjatë të cilave do të krijohej një atmosferë më e volitshme në Kosovë dhe në Serbi, sepse çdo ndarje e Kosovës nënkupton që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës. Ky skenar nënkupton që gjendja në veriun e Kosovës të mbetet po kjo që është tani, e që gjithnjë e më shpesh po cilësohet si “konflikt i ngrirë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›