E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha takon Gruevskin: “Lehtësira të mëdha” Maqedonisë

Në takim u theksua rëndësia e realizimit me sukses të projekteve të rëndësishme infrastrukturore, si ato rrugore dhe hekurudhore, të cilat do të bëjnë të mundur lidhjen më të ngushtë mes dy vendeve, në shumë plane, si atë të transportit, shkëmbimeve tregtare, turizmit, etj.

Në këtë kuadër u theksua nevoja për krijimin e lehtësirave doganore dhe heqjes se barrierave burokratike për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe të mallrave, duke vendosur regjimin doganor që aplikohet nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian.

“Të dy vendet po investojnë në lidhje të reja dhe fuqizimin e lidhjeve ekzistuese infrastrukturore. Në një hark kohor dyvjeçar, distanca midis Shkupit dhe Tiranës do të shkurtohet në njërin aks, atë Shkup-Dibër-Tiranë, me 103 kilometra, në aksin tjetër Shkup-Strugë-Tiranë së paku me një orë. Një lidhje e tretë ndërkombëtare po ndodh. Ne po ndërtojmë dhe Kryeministri vizitoi dy-tre javë më parë komunën e Trebishtit, një aks kombëtar që do të shndërrohet në aks ndërkombëtar, pasi jemi vetëm 7 kilometra nga kufiri me Maqedoninë”, theksoi Berisha.

Më tej, Berisha tha se së shpejti do të fillojë kalimi i kufirit vetëm me letërnjoftim me Maqedoninë, ndërsa premtoi kalimin e doganave pa pengesa njësoj si në vendet e BE-së.

Më tej, Berisha premtoi se çdo qytetar i Maqedonisë në Shqipëri do të ketë të drejtë të studiojë në gjuhën amtare. “Dua t’ju siguroj se maqedonasit dhe çdo qytetar i Shqipërisë ka pasur, ka dhe do të ketë të drejtë të pamohueshme për t’u shkolluar në gjuhën që do. Vendi ka standardet më të mira, sipas dokumenteve ndërkombëtare të arsimimit të pakicave”, theksoi Berisha.

Për sa i përket Kosovës, Berisha tha se ndarja e saj nuk është çështje që mund të diskutohet.  “Këto propozime e sugjerime janë që të gjitha të nxjerra apo nxirren nga arkiva e Sllobodan Millosheviçit. Duhet t’ju kujtoj këtu se në fillim të viteve ’90, mesazherë nga më të ndryshmit qarkullonin me harta në xhep për ndarje të Kosovës dhe jo vetëm të Kosovës. Por të gjitha ato u provuan si absurditete. Respektimi i kufijve aktualë të Kosovës është interesi jetik më i mirë, absolutisht, i të gjitha vendeve të këtij rajoni, që nuk duan të përdorin gjyzlykët e kasapit të Ballkanit për rajonin e të ardhmen e tij”, shtoi ai. /S.Ll/Start/

                                                                                             2011-11-09 17:29
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›