E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-ja thërret Berishën të japë llogari në Kuvend për trafiqet

Leskaj: “Kemi depozituar kërkesën, shpresojmë të miratohet”. Kryetarja e Grupit të PS-së: “Prokuroria të marrë të pandehur Fazlliçin”

Shaban Sulçe

Kryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, ka bërë të ditur se Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste ka depozituar dje në Kuvend një kërkesë zyrtare për të thërritur në një mocion për debat kryeministrin Sali Berisha, lidhur me skandalin e trafiqeve dhe aferat me të arrestuarin Damir Fazlliç. Leskaj tha se Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste shpresonte se kryeministri dhe Kryesia e Kuvendit do të miratonin kërkesën për debat dhe nuk do të sajonin “gabime” teknike për miratimin e saj. “Kryeministri, në seancën e kaluar, pranoi publikisht në parlament se e ka mik Fazlliçin, është mirë që këto lidhje “miqësore” t’i bëjë transparente. Çështja “Fazlliç” është një koktej eksploziv elementesh që dëmtojnë dhe cenojnë direkt themelet e demokracisë shqiptare”, - tha Leskaj.
Mocioni
Në kërkesën për mocion për debat të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, kryeministrit Berisha i kërkohen shpjegime në lidhje me përfshirjen e Fazlliçit në kompaninë “BG&R” dhe lidhjet e tij me Partinë Demokratike. Gjithashtu kryeministrit Berisha i kërkohet shpjegime për inflitrimin e Fazlliçit në afera korruptive përmes firmave të tij fantazmë dhe përfshirja e anëtarëve të kabinetit qeveritar dhe të afërmve të tyre që çon në kapjen e shtetit. Kryeministrit i kërkohet shpjegime edhe për lidhjet e Fazlliçit me një prej ish-drejtuesve të shërbimeve famëkeqe, përfshirja në afera të trafikimit të armëve apo pastrimit të parave dhe miqësia e tij me figurat kryesore të qeverisë. Këto pika u bënë të ditura dje nga kryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj.
Kërkesa
Leskaj foli gjithashtu edhe për shantazhin e bëra nga Berisha në drejtim të opozitës. “Kryeministri kërcënoi opozitën me dosje mafioze duke harruar që kjo e implikon më keq atë për krime që i di dhe nuk i denoncon, ai nuk mund të mbajë peng politikën shqiptare me presion dosjesh. Kjo histori duhet të marrë fund”, - tha Leskaj. Kryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste i bëri thirrje organit të Prokurorisë së Përgjithshme që të nisë menjëherë hetimet rreth çështjes “Fazlliç” dhe ta shpallë atë person në hetim. “Grupi Parlamentar Socialist i bën thirrje Prokurorisë së Përgjithshme që të nisë menjëherë hetimet për çështjen Fazlliç dhe ta shpalle atë person në hetim”, - tha ajo.

9 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›