E Diel, 1 Nëntor 2026

Ligji për spiunët shtyhet sërish nga Kuvendi, demokratët akuzojnë opozitën



Hapja e dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit gjatë regjimit komunist është shtyrë sërish nga Kuvendi i Shqipërisë, duke mbetur një çështje e vendosur për në “kalendat greke”. Vetëm pak javë më parë, Konferenca e Kryetarëve të grupeve parlamentare miratoi që ligji për hapjen e dosjeve të miratohet në seancë parlamentare pikërisht në datën 9 shtator. Por megjithëse sot zhvillohet seanca e radhës së Kuvendit, ligji për dosjet nuk është përfshirë në rendin e ditës për shkak se nuk është diskutuar në asnjë komision parlamentar. Kjo sipas relatorit të Partisë Demokratike në Komisionin Parlamentar të ligjeve, Aldo Bumçi, për shkak të mosdhënies së konsensusit nga Partia Socialiste për miratimin e projektligjit integral të hartuar nga Bumçi. Nga ana e tyre, socialistët, megjithëse parimisht janë dakord për të hapur dosjet, janë kundër projektligjit të PD-së, pasi e cilësojnë atë ligj për lustracionin e figurës së politikanëve dhe jo një projekt që synon realisht hapjen e arkivave të shtetit. Pikërisht ky konflikt idesh ka sjellë që kjo çështje e shumëdebatuar e tryezave të politikës shqiptare vazhdon të mbetet një dosje e pahapur. Projektligji i paraqitur në Kuvend nga demokratët synon verifikimin e të gjithë zyrtarëve, funksionarëve publike dhe të zgjedhurve, të cilët më datë 11 dhjetor të vitit 1990 janë 18 vjeç e lart dhe me hyrjen në fuqi të këtij ligji ushtrojnë detyrë të rëndësishme. Kështu, PD-ja propozon ngritjen e një komisioni të posaçëm për verifikimin e figurës së personaliteteve të larta të shtetit, si kryeministrit, presidentit, kryetares së Kuvendit, ministrat, deputetët, por dhe zyrtarë të niveleve më të ulëta, si drejtorë të Përgjithshëm, drejtorë drejtorish etj. Sipas projekti të PD-së, kur vërtetohet se funksionarët e lartë të shtetit, deputetët apo të zgjedhurit vendorë, rezultojnë bashkëpunëtorë me shërbimin sekret të shtetit gjatë regjimit komunist, ata duhet të ndërpresin mandatin e tyre, gjë e cila kundërshtohet nga PS-ja.

9 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›