E Shtunë, 31 Tetor 2026

Braho: “Denoncojmë prapaskenat PS-PD për hartimin e Kodit të ri Zgjedhor”

Deputeti i LSI-së: “Komisioni i Reformës Zgjedhore të hapë dyert për mediat”. Braho: “LSI-ja e propozoi e para draftin për votën e emigrantëve”

Shaban Sulçe
Lëvizja Socialiste për Integrim proteston ndaj mungesës së transparencës nga ana e Partisë Socialiste dhe nga ana e Partisë Demokratike për procesin e hartimit të Kodit të ri Zgjedhor. Përfaqësuesi i LSI-së në Komisionin Parlamentar për Reformën Zgjedhore, Spartak Braho, tha se dy bashkëkryetarët e këtij komisioni, Xhafaj dhe Rusmali, jo vetëm që po shkaktojnë vonesa të pajustifikuara, por po e mbajnë Komisionin larg vëmendjes së medias dhe publikut. Sipas Brahos, ky bunkerizim po ndodh në mënyrë që përfaqësuesit e PS-së dhe të PD-së ta kenë më të lehtë që ta hartojnë Kodin e ri, mbi bazën e marrëveshjeve dhe pazareve të tyre të fshehta. “Ky komision vazhdon ende të punojë i bunkerizuar, në kushtet e një mungese të plotë të transparencës, duke censuruar punën e tij, përgjegjësi kjo direkte e bashkëkryetarëve të këtij komisioni, ndonëse kundër këtij qëndrimi ka reaguar me ashpërsi jo vetëm përfaqësuesi i LSI-së në këtë komision, por edhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit. Ne e dënojmë këtë praktike, duke bërë edhe një herë thirrje bashkëkryetarëve të këtij komisioni të hapin dhe të bëjnë transparent procesin e reformës zgjedhore, ku t'i japin mundësi jo vetëm medias, por të tërë aktorëve dhe faktorëve të interesuar për reformën zgjedhore të jenë në dijeni dhe të pranishëm në procesin e hartimit të saj, pasi ajo nuk është thjesht punë e ekspertëve të PD-së dhe PS-së, marrëveshjeve dhe pazareve të tyre, por të shndërrohet në një proces gjithëpërfshirës”, - tha Braho.
Vota e emigrantëve
Deputeti i LSI-së denoncoi gjithashtu refuzimin që dy bashkëkryetarët e komisionit, Xhafaj dhe Rusmali, i kanë bërë shqyrtimit të draftit të paraqitur nga LSI-ja për mundësimin e votës së emigrantëve. Nga ana tjetër, Braho përshëndeti mbështetjen që i kanë dhënë nismës së LSI-së, shoqëria civile si dhe grupimi “G99”. “Me gjithë insistimin tonë, ky komision ende nuk po merr në shqyrtim platformën e paraqitur nga LSI-ja që në fillimet e punës së këtij komisioni nëpërmjet të cilës sigurohet dhe bëhet i mundur votimi nga shqiptarët që banojnë jashtë shtetit, pra emigrantët. Siç dihet, LSI-ja ka paraqitur pranë këtij komisioni një platformë konkrete dhe ka kërkuar konsensusin e dy partive politike, PS dhe PD, për të bërë të mundur pjesëmarrjen aktive në procesin e votimit të emigrantëve, Ne mbështesim çdo iniciativë tjetër që përkrah platformën e paraqitur nga LSI për votimin e emigrantëve dhe i bëjmë thirrje bashkëkryetarëve të Komisionit të marrin në shqyrtim sa më shpejt të jetë e mundur dispozitat që rregullojnë të drejtën e emigrantëve për të votuar atje ku ata banojnë”, - tha Braho.

Korrektimi kombëtar
Përfaqësuesi i LSI-së në Komisionin Parlamentar për Reformën Zgjedhore përsëriti edhe njëherë domosdoshmërinë e sanksionimit në Kod të sistemit të korrektimit kombëtar të votave. Sipas Brahos, korrektimi kombëtar i votave do të jetë e vetmja mundësi që nuk do të devijojë votën e qytetarëve shqiptarë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2009. “Ne ritheksojmë edhe një herë qëndrimin tonë lidhur me formulën që rregullon shpërndarjen e votave dhe nxjerrjen së rezultatit gjatë procesit të numërimit, duke propozuar miratimin e dispozitave të Kodit elektoral që rregullojnë këtë proces të rëndësishëm të votimit, korrektimin kombëtar, si e vetmja mundësi që nuk devijon votën e qytetarëve por siguron një shpërndarje sa më korrekte të saj”, - tha deputeti i LSI-së, Spartak Braho.

Braho dhe batuta për “G99”-n

I pyetur nga gazetarët në lidhje me platformën e paraqitur për votën e emigrantëve nga lëvizja “G99”, Braho tha se kjo platformë nuk ka asnjë ndryshim nga platforma që Lëvizja Socialiste për Integrim depozitoi një muaj më parë në komision po për çështjen e votës së emigrantëve. “Nuk ka ndryshim. Është e njëjta platformë. Por, G99-a është e vogël të mbajë në shpatulla këtë problem kaq të madh”, - tha Braho.

9 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›