E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI-ja akuzon Topallin: “Po bllokon komisionin hetimor për Gërdecin”

Xhufi: “Po zvarritet për të disatën herë kërkesa e grupit tonë parlamentar”. Zëvendëskryetari i LSI-së: “Topalli po shkel rëndë Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit”

Shaban Sulçe
Lëvizja Socialiste për Integrim akuzon kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, se po bën çmos që të sabotojë kërkesën e Grupit Parlamentar të LSI-së për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për zbardhjen e tragjedisë së Gërdecit. Akuzat e LSI-së ndaj Topallit avancojnë edhe më tej duke e akuzuar kryetaren e Kuvendit se po shkel rëndë Kushtetutën, në përpjekjet e saj për të mos aprovuar kërkesën për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për zbardhjen e tragjedisë së Gërdecit. Burime nga LSI-ja bëjnë të ditur se për të disatën herë grupi parlamentar ka depozituar kërkesën zyrtare te kryetarja e Kuvendit për krijimin e komisionit hetimor. Por nga ana e Topallit vazhdon të zvarritet miratimi i kësaj kërkese, duke e lënë pas dore atë. “Në vend që të kalojë për miratim në seancën e Kuvendit kërkesën e grupit parlamentar ‘E majta për integrim’, kryetarja e Topallit vazhdon ta zvarrisë dhe ta mbajë të bllokuar atë për të disatën herë radhazi. Kjo përbën një shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe të Rregullores së Kuvendit nga ana e kryetares Jozefina Topalli, e cila edhe ajo po bën çmos të pengojë krijimin e komisionit hetimor parlamentar për tragjedinë e Gërdecit”, - tha zëvendëskryetari i LSI-së dhe njëkohësisht kryetari i grupit parlamentar “E majta për integrim”, Pëllumb Xhufi.

Konflikti
Nuk është hera e parë që kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, akuzohet nga përfaqësuesit e grupit parlamentar “E majta për integrim” për zvarritje të kërkesës së këtij grupi për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për tragjedinë e Gërdecit. Edhe gjatë muajit të kaluar, gjatë një prej mbledhjeve të Konferencës së Kryetarëve, kryetari i grupit parlamentar “E majta për integrim”, Pëllumb Xhufi, kërkoi shpjegime nga Topalli rreth fatit të kërkesës zyrtare të LSI-së në lidhje me këtë çështje, në lidhje me miratimin e kësaj kërkese. Por reagimi i Topallit ishte se prej një jave ajo kishte dërguar një përgjigje zyrtare me anë të një letre këtij grupit parlamentar. Por përfaqësuesit e grupit parlamentar “E majta për integrim” mohuan që në zyrat e këtij grupi të ketë mbërritur letra e Topallit. Deputetë të këtij grupi bënë të ditur se megjithëse zyra e kryetares së Kuvendit është vetëm një kat larg nga zyra e grupit parlamentar “E majta për integrim”, në të nuk kishte mbërritur asnjë letër zyrtare nga ana e Topallit. Kjo ka bërë që kryetarja e Kuvendit të akuzohet nga përfaqësuesit e LSI-së jo vetëm për mungesë korrektese, por edhe si shkaktare për pengesat në ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për tragjedinë e Gërdecit.

Kërkesa
Pas shpërthimit tragjik të Gërdecit dhe pas publikimit të fakteve që e implikonin qeverinë me aferën e trafikut të armëve, kryetari i LSI-së Ilir Meta kërkoi zyrtarisht ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për zbardhjen e kësaj tragjedie dhe për trafikun e armëve. Kjo kërkesë, e cila është depozituar për të disatën herë në zyrën e Topallit, mësohet se është firmosur nga 28 deputetë, kryesisht të opozitës. Firmëtarët e saj janë 9 deputetët e grupit parlamentar “E majta për integrim”, 7 deputetët e Partisë Social-Demokrate, deputeti i PDS-së, Milo, deputeti i PAD-së, Neritan Ceka. Mësohet gjithashtu se kjo kërkesë është firmosur edhe nga disa deputetë të Partisë Socialiste, por që gjithsesi interesant është fakti se në të mungojnë emrat e shumë deputetëve kryesorë dhe të spikatur të Partisë Socialiste.

9 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›