“Mjaft”-i, peticion për largimin e ministrit Basha
Lëvizja “Mjaft” ka shpallur dje nisjen e një fushate në të gjithë vendin, duke ftuar të gjithë qytetarët që të bëhen pjesë e peticionit që kërkon largimin e menjëhershëm të ministrit të Jashtëm, Lulëzim Basha. “Mjaft”-i e ka ndërmarrë këtë peticion pas implikimit të ministrit Basha me të arrestuarin Damir Fazlliç.
Argumentet kryesore që “Mjaft”-i ka formuluar për largimin e Bashës vijojnë si më poshtë: ”Është ministër pa imunitet, është në hetim nga Prokuroria për miliona euro që nuk dihet ku kanë përfunduar, është në hetim nga prokuroria për shpërdorim detyre dhe përdorim posti për përfitime personale. Ministri Basha akuzohet në media për afera korruptive, pastrim parash dhe përdorim posti, si bashkëpunëtor i Damir Fazlliçit. Një ministër që s'dihet sa është prezent, që e kalon gjysmën e kohës në prokurori dhe pjesën tjetër në Bruksel, është ndërmjetësi ynë për çështjen e liberalizimit të vizave, procesit të integrimit në NATO dhe BE. Një ministër që tallet me Parlamentin dhe në vend t'u përgjigjet akuzave dhe të ndihmojë hetimin zgërdhihet, tallet me përfaqësuesit e qytetarëve dhe bën shantazhe publike. Basha është i paaftë të punojë për përmirësimin e imazhit të Shqipërisë në botë, sepse ky ministër, në sytë e funksionarëve të Brukselit dhe diplomatëve të huaj, mishëron stereotipat e tyre më negative për Ballkanin, si funksionar i përfshirë në afera korruptive. Basha është një ministër që e ka humbur legjitimitetin publik, brenda dhe jashtë vendit, ndaj nuk mund të përfaqësojë shqiptarët në sfidat më të rëndësishme integruese”.
PS-ja kundër qeverisë për projektligjin “Për Noterinë”
Partia Socialiste shpreh shqetësimin e saj për një sërë projektligjesh të propozuara nga qeveria, të cilat, sipas saj, e dëmtojnë rëndë reformën në Drejtësi. Kryetari i Komisionit të Ligjeve në Partinë Socialiste, Ylli Manjani, iu referua së fundi projektligjit për noterinë, të cilin e cilësoi si të dëmshëm dhe me pasoja të mëdha. “Me këtë nismë qeveria iu garanton shqiptarëve dhe veçanërisht investitorëve kaos juridik dhe pasiguri për çdo dokument noterial. E thënë ndryshe shqiptarët, pas miratimit të këtij ligji nuk do të kenë të sigurt, as pronën, as shtëpinë, e as investimet e tyre. Me aktet noteriale që do të prodhohen nga kioskat noteriale (të cilat qeveria e Sali Berishës i ka për zemër), asgjë nuk është më e sigurt. Me këtë projektligj Sali Berisha dhe qeveria e tij synon të shkatërrojë përfundimisht autoritetin ligjor të shtetit, të lajë duart nga përgjegjësia juridike e shtetit ndaj qytetarëve si dhe të forcojë pozitat dominante të zyrës së vetme avokatore pranë Kryeministrit”, - tha Manjani, i cili shprehu qëndrimin e Partisë Socialiste për të kundërshtuar dhe hedhur poshtë projektligjin e mësipërm.
9 Tetor 2008